Varrosur nën beton: si bëri mafia një mal me para nga shkatërrimi i jugut të Italisë

Mafia ndryshoi formën e qyteteve italiane, duke shkatërruar panoramën me beton për të konfirmuar autoritetin e saj. Sepse arkitektura e mafias, si të gjitha aktivitetet e klaneve, ka sintaksën, …

Shkruar nga

Jugu i vendit mban damkën e mënyrës se si bosët e mafias pasuruan klanet e tyre me ndërtesa të paligjshme, ndërtime brutaliste dhe të zhurmshme, sot vila në rrënim.

Nëse pyet Maurizio Carta-n ç’pamje ka mafia, ai do t’ju çojë në zonat rezidenciale të kryeqytetit të Siçilisë, Palermo. Atje, qindra blloqe apartamentesh të shkreta, në një gri të rëndomtë, damkosin periferinë dhe një pjesë të madhe të qendrës historike.

Është rezultati i një histerie ndërtimesh të viteve 1960-70, kur Vito Ciancimino, një mafioz nga klani i dhunshëm Corleone, urdhëroi shembjen e vilave plot art dekorativ për t’u bërë vend blloqeve të kullave brutaliste, duke mbuluar sipërfaqe të stërmëdha kopshtijesh dhe pyjesh me tonelata betoni. Ky është një prej kapitujve më të errët të urbanizimit të Siçilisë në periudhën e pasluftës dhe do të mbetej në histori si “grabitja e Palermos”.

Mafia siçiliane kishte deklaruar se planifikimi urban në Palermo duhej të kontrollohej nga Ciancimino, i cili në vitin 1959 ishte emëruar Përgjegjës i Punëve Publike nga administrata publike. “Fjala ‘grabitje’ nuk u zgjodh pa qëllim për ta përshkruar atë periudhë” thotë Carta, profesor i planifikimit urban në Universitetin e Palermos. “Njësoj si plaçkitjet e barbarëve, mafiozët shkatërruan qytetin me çimento, duke shpërfytyruar parqet, panoramën dhe bukurinë natyrore të tij”.

Inertet e shembjeve dhe materialeve të ndërtimit u depozituan në breg, duke sjellë ndotjen e plazheve, shumë prej të cilëve mbeten të paaksesueshëm për pushuesit edhe sot.

“Me grabitjen e Palermos, mafia manifestoi fuqinë e tmerrshme kriminale që kishte,” thotë Carta. “Ata u dërguan një mesazh institucioneve, duke e bërë të qartë se ata, bosët, kishin fuqi të ndryshonin jo vetëm ligjet që rregullonin projektet e planifikimit urban dhe i jepnin formë qytetit, por edhe klimën lokale.”

Palermo ishte ndërtuar për të lejuar flladin të thëthihej nga mali dhe të zbriste për të freskuar qytetin. Me këto ndërtesa të larta të ndërtuara përgjatë bregut dhe në rrëzë të malit, Palermo u bë një qytet i nxehtë, i mykur dhe mbytës.”

Ai shton: “Bosët dërguan mesazh edhe tek mijëra qytetarë të pastrehë pas luftës së dytë botërore: nëse ato familje ia kishin dalë të gjenin një strehë, kjo ishte falë mafias.”

Tre shekuj pasi Papa Urbani VIII ia besoi planifikimin urban dhe arkitekturor të Kishës Katolike Gian Lorenzo Bernini-t për të paraqitur Vatikanin si forcën triumfuese, mafia po përdorte arkitekturën ëpr të manifestuar fuqinë e saj.

Mafia ndryshoi formën e qyteteve italiane, duke shkatërruar panoramën me beton për të konfirmuar autoritetin e saj. Sepse arkitektura e mafias, si të gjitha aktivitetet e klaneve, ka sintaksën, logjikën dhe funksionin e saj.

Bernini projektoi Burimin e mrekullueshëm të Katër Lumenjve në Piazza Navona në Romë dhe Sheshin e Shën Pjetrit. Ciancimino, që nuk ishte as artist as arkitekt, autorizoi ndërtimin e 4000 blloqeve të apartamenteve në Palermo, pothuaj gjysma e të cilëve u ndërtuan nga kompani me lidhje direkte me klanet e Cosa Nostra-s.

Observer-i udhëtoi në rajonet e jugut të Italisë me një histori të krimit të organizuar, ku gjurmët e mafias gjenden në zëvendësimin e rezidencave elegante të shekullit të nëntëmbëdhjetë me blloqe betoni, si dhe në dhjetëra ndërtime të papërfunduara e gjysëm të rrënuara në brigjet e plazheve spektakolare, ku mafia me lidhje me administratorët publikë ishte lejuar të ndërtonte. Aty mund të shihet se çfarë është mafia duke hedhur vështrimin mbi vilat e pashije dhe pacipa të bosëve, secila syresh një demonstrim force, bash si monarkitë apo diktaturat.

Grabitja e Palermos është ndoshta shembulli më klasik i mënyrës se si mafia siçiliane jo vetëm ka vrarë dhe varfëruar, por edhe ka njollosur peisazhin me projektet e ndërtimit që, pasi u merrnin paratë për ndërtimin e tyre, liheshin zakonisht të papërfunduara.

Në fund të viteve 1970, superbosi i mafias Michele Greco, me nofkën “Papa”, dhe kreu i Kupolës, trupës drejtuese të Cosa Nostra-s, e nguliti ambicjen e tij në Pizzo Sella, një kep madhështor në gjirin e Palermos që dominon qytetin dhe plazhin në Mondello. Sipas prokurorëve, Greco dha bekimin e tij për ndërtimin e 314 vilave të paligjshme aty. Kur autoritetet nisën të hetonin skemën, ishte shumë vonë. Gjysma ishin ndërtuar dhe gjysma tjetër mbetën të papërfunduara.

Sot, Pizzo Sella, e njohur si “kodrina e turpit” është një vend i dekompozimit të ngadaltë të 170 skeletëve të vilave, disa prej të cilave qenë konfiskuar prej autoriteteve, por nuk u rrafshuan kurrë, dhe që u bënë një pirg plehrash në ajër të hapur mbushur me minj – një damkë e thellë në një prej kepeve më të bukur në Siçili.  

Arkitektura për mafian nuk është vetëm një manifestim i fuqisë, por edhe një biznes jashtëzakonisht fitimprurës për grupet, të cilët, falë korrupsionit në sektorin e punëve publike dhe kompanitë e ndërtimit të lidhura drejtpërdrejt ose tërthorëzi me krimin e organizuar, kanë grumbulluar milione përgjatë viteve me shitjen e materialeve të ndërtimit dhe “betonit të pafortifikuar” – i prodhuar nga sasi joproporcionale të rërës dhe ujit, me shumë pak çimento – për të ndërtuar rrugë, shkolla, spitale dhe ura në vende të prirura për rrëshkitje ose përmbytje, përgjatë zonave shkëmbore dhe me risk të lartë sizmik e hidrogjeologjik.

Në Castel Volturno, rreth 30 milje në veriperëndim të Napolit në një peisazh bukurie të pazakontë ndërmjet Mount Dragone dhe ishullit të Ischia-s, janë ndërtuar 24,000 ndërtesa pa leje, shumë prej të cilave në vijën bregdetare. Mijëra syresh janë konfiskuar dhe rrënojat e të tjerave janë shpërndarë përgjatë 17 miljeve plazh – si artefakte arkeologjike nga një katastrofë post-apokaliptike.

 Gjërat ndryshojnë kur bosët ndërtojnë shtëpitë e tyre. Vilat mafioze reflektojnë personalitetin e rezidentëve dhe karakterin e grupit që përfaqësojnë. Vilat e bosëve sicilianë të Camorra-s, për shembull, projektoheshin për të komunikuar fuqi nga një pikëpamje estetike – vila madhështore që ringjallin ato të princërve dhe dukëve të mëdhenj.

Në qytezën e Casal di Principe, territory i një prej grupeve më të fuqishme të Camorra-s, që frymëzoi serialin televiziv me temë krimin, Gomorrah, bosi i bosëve Ëalter Schiavone kishte ndërtuar një vilë që ishte modeli i përpiktë i shtëpisë së Tony Montana-s, gangsterit imagjinar të luajtur nga Al Pacino në filmin Scarface të Brian de Palma – madje njihet me emrin Villa Scarface.

Stefano Bontate, një bos i mafias siçiliane, jetonte në një zinxhir apartamentesh dhe vilash luksoze në Palermo dhe përgjatë bregut të saj provincial. Ai u ekzekutua me kallashnikov nga një prej vrasësve më të ashpër të Cosa Nostra-s, Giuseppe “Scarpuzzedda” Greco. 

Scarpuzzedda, që krenohej se kishte vrarë pothuajse 60 njerëz, zotëronte një villë rreth 40 metër të lartë të vendosur në një shkëmb në bregun e Mongerbino-s. Vila, tashmë e konfiskuar dhe e braktisur, ka një shkallar që shpie direkt në det.

Scarpuzzedda u vra me urdhër të bosit të bosëve të grupit Corleonesi, Salvatore “Toto” Riina. Edhe ai zontëronte disa vila, por kishte zgjedhur të mbante një rezidencë në qendër të Korleones ku kishte lindur. Edhe këtu mesazhi ishte I qartë: bosët mund të ndërtojnë ku të duan në botë, por ata zgjedhin të ndërtojnë shtëpitë e tyre në territorin e tyre, edhe nëse kjo ishte më pak magjepsëse.

Bosi i Camorra-s, Gennaro Marino, me nofkën “McKay”, ra në dashuri me dacha-n tradicionale ruse. Me një pasuri të krijuar nga trafiku i kokainës, ai mund të kishte blerë shumë lehtë një të tillë në Ruskeala Mountain Park-un e mrekullueshëm, 185 milje nga Shën Petërburgu. Por ai zgjodhi ta ndërtonte atë në bastionin e tij, lagjen Secondigliano, një prej zonave më të degraduara të Napolit. Mes plehrave dhe vjetërsirave, Marino ndërtoi një shtëpi ruse të rrethuar nga palma të shtrenjta libiane.

Katër minuta nga dacha e Marinos, një tjetër bos i fuqishëm i Camorra-s, Cosimo Di Lauro, i njohur si “Doni Dizajner” për pasionin e tij të ndezur për veshje elegante, jetonte në një vilë të stilit të lashtë Pompeii, rrethuar nga një tarracë me pamje nga Mali i Vezuvit. 

Por jo të gjithë mafiozët pëlqejnë të mburren përmes arkitekturës. Bosët e mafias kalabreze, ‘Ndragheta’, një prej organizatave kriminale më të fuqishme në botë, përqafojnë një përqasje tjetër. Grupet kalabreze kanë një filozofi që është diametralisht e kundërt me atë të homologëve të tyre siçilianë dhe kampanianë.

Ndragheta e dinë se një shtëpi elegante apo madhështore shkakton zili, një sentiment që bosët kalabrezë duan ta shmangin në mesin e popullsisë së gjerë. Një nga bosët më të përgjakshëm kalabrezë, Antonio Pelle, jetonte në një shtëpi të murrme që ngjante si një kub gjigand çimentoje në qytezën e San Luca-s. Pelle kërkonte të kamuflohej, një arsye pse Ndragheta preferojnë bunkerët në vend të vilave luksoze në bregdet.

Për dekada me radhë, mafia kalabreze ka planifikuar dhe ndërtuar qytete të sofistikuara në nëntokën e fshtrave të saj. Një botë e nëndheshme shkallësh rrëshqitëse, qepenësh të fshehtë dhe pusetash të lidhura me tunele që nuk mbarojnë asnjëherë që lidhin dhe ndajnë, që shpien drejt rrugëve të arratisjes mes systemit të kanalizimeve ose përmes drizave në brigjet e lumenjve. Në 30 vitet e fundit, autoritetet italiane kanë zbuluar më shumë se 400 bunkerë në Kalabri, të përshkruar nga hetuesit si “vepra të inxhinierisë së lartë”.

“Në shikim të parë, shtëpitë e bosëve duket krejtësisht normale”, thotë Major Carmelo Aveni, një ish-komandant i Cacciatori – ose gjuetarëve – një njësi komando elitare e trajtuar për të nxjerrë mafiozët nga bunkerët e tyre. “Asgjë nuk do të të bënte të besoje se ka tunele apo një bunker nëntokësor. Pastaj ti nis të inspektosh çdo qoshe dhe të çarë të shtëpisë: Mure, dysheme, shkallë që mund të fshehin një tunel. Ne kemi gjetur edhe mure të lidhur me një pajisje elektrike. Mjafton të shtypësh një buton për të lëvizur murin.”

Pasquale Marando, i Ndragheta-s, ndërtoi një bunker secret hyrja e të cilit ishte vatra e një furre picash. Më pak se 10 milje tutje, Ernesto Fazzalari, i cili dyshohet se argëtohej duke bërë qitje në kokat e prera të viktimave të tij, jetonte në një vendstrehim 10 metër katror në malet e Italisë së jugut. Kur autoritetet arritën në 2004, Fazzalari ishte arratisur përmes një tuneli nën lavamanin e kuzhinës së tij.

Bosët e mafias kalojnë shumë kohë në shtëpi, larg syve të rivalëve të tyre dhe të autoriteteve. Në shtëpitë e tyre ata organizojnë takime, farkëtojnë aleanca dhe takohen me politikanë. Për këtë arsye, shtëpia e mafiozëve duhet të reflektojë një kërkesë tjetër të rëndësishme: komfortin. Dizajni i brendshëm mund të jetë më pak i rëndësishëm për mafiozët kalabrezë, por është thelbësor për bosët e Camorra-s, shtëpitë e të cilëve janë përplot objekte të kushtueshme luksi.

Bosi napolitana Pasquale Fucito, që mbante nofkën “Marsiani”, e kishte pajisur shtëpinë e tij me luanë porcelain, doreza të arta për dyert, çelësa prej kristalesh Swarovski dhe kremare për peshqirë të zbukuruar me gurë të çmuar.

Kur në orët e parë të 27 tetorit 1991, një zjarr i tmerrshëm – vepër e piromanëve – shkatërroi teatrin shekullor Petruzzelli në Bari, bosi i Camorra-s, Maurizio Prestieri, dërgoi disa nga njerëzit e tij në vendin e katastrofës për të plaçkitur çdo gjë që mund të gjenin, përfshirë tapicerinë e paçmuar të shekullit të shtatëmbëdhjetë. Ai urdhëroi ta pastronin dhe e vendosi në shtëpinë e tij pavarësisht djegieve.

Ditën që u shkatërrua teatri Petruzzelli, dhjetarë ushtarë italianë sulmuan mega vilën e bosit të fuqishëm të Camorra-s, Pasquale Galasso. Shtëpia e tij, në një sipërfaqe prej 30,000 metrash katrorë ndërmjet Poggiomarino dhe San Marzano, me fusha futbolli, sauna dhe një magazinë ku ruante koleksionin e tij të makinave Ferrari dhe Porsche, mbante edhe muzeun personal të artit.

Veprat e artit të vjedhura nga e gjithë Italia kishin arritur aty. Mes pikturave, antikave të Luigjit të XIV dhe statujave të lashta, hetuesit u shokuan kur gjetën një from solid prej ari. Siç doli në dritë më vonë, froni ishte i Francis II të dinastisë së burbonëve, mbretit të fundit të Napolit.

Njësoj si peisazhi që ishte damkosur kaq brutalisht me marrëzitë dhe shfaqjet kërcënuese të pasurisë së mafias, Galasso e kishte vendosur simbolin e fuqisë së tij të tepruar në mes të dhomës gjigande të ndenjjes. Kur ai u bë i penduar i drejtësisë italiane, shtëpia u kaloi autoriteteve. Pjesërisht e përdorur si kazermë për Guardia di Finanza, pjesa më e madhe e saj sot, si shumëçka nga arkitektura mafioze e Italisë, dita-ditës shkërmoqet dalëngandalë në diell.

Të Fundit


Kriza në Arsim: skicë për reformën në arsimin e lartë

Kriza në Arsim: skicë për reformën në arsimin e lartë

Arsimi i lartë është në trysninë e transformimeve të mëdha. Studimet tregojnë se shumica e…

Fushata e dështuar e bombardimeve të Izraelit në Gaza 

Fushata e dështuar e bombardimeve të Izraelit në Gaza 

Robert A. Pape Që nga 7 tetori, Izraeli me rreth 40,000 trupa ushtarake ka pushtuar…

Politicidi: Lufta e Ariel Sharonit Kundër Palestinezëve* 

Politicidi: Lufta e Ariel Sharonit Kundër Palestinezëve* 

Me politicid nënkuptoj një proces që ka si qëllim final shpërberjen e existencës së popullit…

Mitet serbe për Kosovën dhe përkundja e tyre në rrëfimin publik shqiptar

Mitet serbe për Kosovën dhe përkundja e tyre në rrëfimin publik shqiptar

Kisha serbe ka qenë një strehë e ngrohtë e gatitjes së paranojës revanshiste serbe ndaj…

Keqkuptimi i europianëve me Serbinë!

Keqkuptimi i europianëve me Serbinë!

Serbia e do Europën, por një Europë që i ngjan Serbisë jo një Serbi që…

Çfarë duhet të bëjë më pas Izraeli?  

Çfarë duhet të bëjë më pas Izraeli?  

Ian Bremmer  Drejtor i GZERO Media Group  Marrë nga GZero Inkursioni tokësor i Izraelit në Gaza duket se ka…