Tradhtia e trashëgimisë së tij politike për Bosnjën nga Biden është politikë e keqe

Vërtet, Joe Biden konsiderohet hero në Bosnjë Hercegovinë, po ashtu edhe midis boshnjako-amerikanëve.

Në ditët e fundit të fushatës në Iowa më 2007, kandidati demokrat Joe Biden e prezantoi veten si një lider i fortë me përvojë të gjerë në politikën e jashtme, duke deklaruar se ishte ai që i dha fund gjenocidit në Bosnjë. Biden këmbënguli në pozicionin e tij në Bosnjë për pjesën më të madhe të karrierës, përfshirë edhe në kandidimin e suksesshëm për president më 2020.

Vërtet, Joe Biden konsiderohet hero në Bosnjë Hercegovinë, po ashtu edhe midis boshnjako-amerikanëve. Fitorja e tij kundër Donald Trump vitin e kaluar solli shpresë dhe nxiti festime publike në Sarajevë, një nga festat më të madhe në Evropë.

Biden ishte ndër Demokratët e paktë që kritikoi Presidentin Bill Clinton për inaktivitet gjatë gjenocidit në Bosnjë Hercegovinë dhe ngriti zërin për ato vlera mbi të cilat u themelua Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Qëndrimi i tij parimor gjatë luftës në Bosnjë u përdor më pas për të mbrojtur veprimtarinë e tij në politikën e jashtme kryesisht nga kritikat ndaj kundërshtimit të tij për luftën e parë në Gjirin Persik dhe për përkrahjen e Luftës në Irak.

Jo befasisht, Biden e gjallëroi komunitetin boshnjako-amerikan gjatë fushatës presidenciale 2020. Komuniteti e përkrahu atë që nga fillimi, përfshirë edhe takimet në Iowa, ku unë, si kapiten i një stacioni policie në Des Moines, ndihmova në pjesëmarrjen e boshnjako-amerikanëve në fushatë.

Pas thuajse 10 muajve në detyrë, politika për Bosnjën e presidentit Biden duket si vazhdimi i aspekteve më negative të politikës së Trumpit për Ballkanin Perëndimor. Plotësimi i dëshirave të nacionalizmit serb e kroat në Bosnjë, bashkë me përkrahjen e idesë së rrezikshme për shkëmbime territoriale midis Kosovës e Serbisë, nuk është ajo çka Biden u premtoi komuniteteve boshnjake dhe shqiptare në Amerikë gjatë fushatës. Fakti që Biden la në detyrë zyrtarët e emëruar nga Trump në Departamentin e Shtetit për politikën në një rajon që është baza e trashëgimisë së tij në politikën e jashtme është edhe më i habitshëm.

Në vend që të përmbushte premtimin e fushatës për ruajtjen e sovranitetit dhe të integritetit territorial të Bosnjës – që aktualisht është nën kërcënimin më të madh të 25 viteve të fundit – zyrtarët e Departamentit të Shtetit të Bidenit po ndihmojnë në thellimin e diskriminimit etnik. Zyrtarët amerikanë e kanë shfaqur hapur përkrahjen për ndryshimet në ligjin elektoral të Bosnjës, sponsorizuar nga BE, i cili do të ndryshojë radikalisht ekuilibrin e pushtetit dhe do të privilegjojë padrejtësisht disa grupe demografikë karshi disa të tjerëve.

Në një federatë të manipuluar, votuesit e partisë nacionaliste Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ) do të kenë më tepër vlerë se pjesa tjetër e votuesve në Federatën e Bosnjë Hercegovinës. Ky ndryshim do t’u lejojë politikanëve të zgjedhin elektoratin e tyre. Nëse adoptohet, rezoluta do ta bëjë vendin edhe më pak funksional dhe do të jetë në kontradiktë direkt me verdiktet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, siç ka argumentuar avokati i të drejtave të njeriut Azra Zorniç.

Pas një rënieje serioze të mbështetjes nga publiku për shkak të tërheqjes kaotike nga Afganistani dhe ndezja e dritës së gjelbër për naftësjellësin Nord Stream 2, Biden zor se mund ta përballojë edhe një tjetër dështim në politikën e jashtme, sidomos në vendin që ka qenë gur themeli për politikën e tij të jashtme. Për më tepër, duke ia shitur Bosnjën nacionalizmit serb e kroat do të shkaktojë keqardhje të thellë në komunitetet boshnjake myslimane kudo të në botë.

Bashkëpunimi i ngushtë me komisionerin evropian Olivér Várhelyi — i deleguar nga kryeministri hungarez Viktor Orban — dërgon mesazhin e gabuar për forcat progresive në Bashkimin Evropian, sidomos në koalicionin e ri qeverisës në Gjermani. Politika e jashtme gjermane do të drejtohet nga të gjelbrit – partia më vokale për Bosnjën në Parlamentin Evropian, për rrezikun e shpërbërjes nga kërcënimi nacionalist serb, dhe për rrezikun që vjen nga propozimet për ndryshime në ligjin elektoral.

Një politikë e jashtme me vlera që i ka rrënjët në vlerat thelbësore të SHBA nuk duhet të aplikohet ekskluzivisht në vende me popullsi të bardhë e të krishterë, me standarde më të ulëta për të tjerët. Siç i kujtoi Biden botës më 1995, boshnjakët vuajtën gjenocidin thjesht sepse ishin myslimanë. Të presësh që boshnjakët – si dhe shumë qytetarë të tjerë që nuk u përkasin tre popujve përbërës sepse janë pakica etnike apo se ashtu kanë zgjedhur – të pranojnë qytetarinë e dorës së dytë në një vend ku përbëjnë shumicën do të thotë të tradhtosh ato vlera që SHBA i mban si të shenjta: që gjithë njerëzit janë të barabartë.

Komuniteti i politikës së jashtme i fokusuar te Ballkani nuk e mbron atë çka administrata Biden po bën në Bosnjë. Ekspertët janë kritikë dhe kanë paralajmëruar, pa sukses, për pasojat e kësaj politike plot cene. Por Biden mund të ndryshojë shpejt kurs dhe t’i kundërvihet kërcënimit për integritetin territorial të Bosnjës, përfaqësuar nga nacionalist serb me përkrahje ruse Milorad Dodik.

Memorandumi për Luftën kundër Korrupsionit paraqitur nga Studimi i për Siguri Kombëtare i administratës deklaron se lufta kundër korrupsionit është një “interes thelbësor për sigurinë kombëtare të SHBA”. Urdhëri Ekzekutiv i Presidentit Biden për Sanksione në Ballkanin Perëndimor hap derën për qasje të re karshi rajonit. Përveç luftës kundër korrupsionit endemik, këto instrumente të reja duhet të përdoren kundër nacionalistëve serbë e kroatë në vend që t’u bësh qejfin me më tepër pushtet e burime publike.

Rajoni po arrin pikën e mbushjes. Dodik do të përdorë dhunë njësoj si Slobodan Milosheviç dikur nëse nuk ka kundërpërgjigje serioze nga SHBA. Kyçi për të dobësuar Dodikun është ekspozimi i korrupsionit të shfrenuar që e rrethon – rrjeti i tij kleptokratik është i ndërthurur me atë të presidentit rus Vladimir Putin.

Administrata Biden e ka përcaktuar luftën globale kundër korrupsionit si një interes i sigurisë kombëtar të Shteteve të Bashkuara. Njoftimi i instrumente të reja të sanksioneve për të luftuar korrupsionin global, përfshirë kleptokracitë autoritare, e tregojnë hapur këtë interes. SHBA duhet t’i përdorë mjetet e reja të luftës kundër korrupsionit global për të përfshirë zyrtarë e biznesmenë që përkrahin Dodik e të tjerë si ai.

Kongresi i SHBA, pjesërisht për shkak të aktivizmit të Bidenit, ka qenë forca shtytëse pas vendimeve madhore që kanë ndikuar në Ballkanin Perëndimor gjatë 30 viteve të fundit. Nëse Biden nuk do t’i mbante premtimet elektorale, ish-kolegët e tij do t’i kërkojnë llogari. Politika aktuale serbocentrike nuk dërgon mesazhe pozitive për komunitetet shqiptare e boshnjake në Amerikë në distrikte kyç kongresionale në prag të zgjedhjeve të mes-sezonit.

Burimi: Nationalinterest.org

Similar Posts