Tajvani, Çipet dhe Gjeopolitika

Vitet e fundit tensionet në Ngushticën e Tajvanit janë shtuar dhe mundësia e një sulmi Kinez ndaj ishullit më shumë se një aventurë sot ngjan me një realitet. Nevoja që vendet e botës të mbajnë një …

Shkruar nga

Vitet e fundit tensionet në Ngushticën e Tajvanit janë shtuar dhe mundësia e një sulmi Kinez ndaj ishullit më shumë se një aventurë sot ngjan me një realitet. Nevoja që vendet e botës të mbajnë një qëndrim në lidhje me një krizë të mundshme në këtë rajon është po aq e rëndësishme sa parandalimi i saj. Llogari të mëdha duhet të bëhen për Tajvanin nisur nga roli që ishulli ka në industrinë botërore të prodhimit të çipeve dhe veçanërisht fuqia e një kompanie të vetme siç është Taiwan Semiconductor Manufacturing Company (TSMC).

Gjysmëpërçuesit janë shtylla kurrizore e shoqërive moderne dhe bazat e teknologjive të reja në rritje si inteligjenca artificiale, makinat autonome dhe informatika kuantike. Sanksionet Amerikane mbi eksportet në drejtim të Huawei pak vite më parë, treguan sesi kjo industri me një shtrirje globale mund të shndërrohet në një armë. Natyra e përqendruar e zinxhirit furnizues dhe tregtar të gjysmëpërçuesve sot është në favor të SHBA-ve dhe aleatëve, një realitet që mund kërcënohet nga një fakt i thjeshtë: Aftësia e Kinës për të kërcënuar ushtarakisht Tajvanin.

Në këtë kontekst, dominimi global në prodhimin e çipeve që TSMC zotëron, i hap rrugë një përzierjeje të paqëndrueshme me situatën gjeopolitike në Tajvan. Kjo e vërtetë tashmë e pranuar nga të gjithë po fiton vëmendje të lartë në rrethet qeveritare, media dhe debate si një faktor përcaktues në vendimmarrje për qëndrimin që kryeqytetet në mbarë botën do të mbajnë për pavarësinë de fakto të Tajvanit ose veprimeve ushtarake që Pekini mund të ndërmarrë për kufizimin e saj. Debatet nëse SHBA-ja duhet ti japë fund politikës së një “ambiguiteti strategjik” mbi këtë çështje, arrijnë në përfundimin se Amerika duhet të deklarojë haptazi qëndrimin e saj në mbrojtje të Tajvanit i justifikuar nga rëndësia globale që TSMC ka.

Duke parë nga afër, ka gjasa që TSMC të mos përfundojë faktori përcaktues i llogaritjeve të Pekinit për “problemin e Tajvanit” e as i reagimit të një qeverie të huaj. Roli i TSMC në industrinë globale të gjysmëpërçuesve nuk ndryshon parimet themelore të cilat formësojnë politikën e Kinës për Tajvanin apo politiken e saj teknologjike. Nga njëra anë nuk ju jep qeverive të huaja një stimul të mjaftueshëm për të ndryshuar llogaritë e tyre me Pekinin në rast të një lufte në Ngushticën e Tajvanit, e as nuk i lë ato pa opsione në tavolinë për parandalimi e rrezikut të humbjes së aksesit në shërbimet e TSMC, të paktën në një periudhë afatgjatë.

Vlera e zinxhirit të prodhimit të gjysmëpërçuesve

Industria globale e gjysmëpërçuesve mbështetet në shpërndarjen e punës në disa vende të botës nisur nga kompleksiteti i çipeve dhe presioni ekonomik për të inovuar. Ndërsa një procesor i zakonshëm desktop në 1998 kishte afro 7 milionë tranzistorë, procesorët e smartfonëve në 2018-ën përbëheshin nga 7 miliardë tranzistorë. Në mesin e llojeve të ndryshme të gjysmëpërçuesve, çipet logjike në veçanti – si procesorët dhe akseleratorët AI – janë të lidhur ngushtë me reduktimin e madhësisë, një proces fabrikimi i cili bën të mundur që prodhuesit të vendosin më shumë tranzistorë në një milimetër katror të një meshe silikoni. Megjithatë jo shumë prodhues çipesh i mbijetuan konkurrencës për madhësi më të vogla çipesh e cila njihet edhe si “Gara Moore” nisur nga Ligji Moore. Në fund të 1990-ës më shumë se 20 kompani operonin fabrika të prodhimit të çipeve me madhësi 180 nanometër. Sot vetëm TSMC në Tajvan dhe Samsung në Korenë e Jugut janë të aftë të operojnë fabrika për prodhimin e çipeve 5-nanometër.

Pse u konsolidua tregu? Fabrikat e sotme të prodhimit të çipeve logjike të avancuara operojnë në nivel atomik me procese me qindra hapa dhe mbështeten në furnizues tejet të specializuar të meshave të silikonit, materialeve kimike dhe pajisjeve të prodhimit. Pajisjet veçanërisht janë bërë tejet komplekse dhe të kushtueshme, deri në një pikë që një makineri e vetme të ketë 100 mijë komponentë, të peshojë 180 tonë dhe të kushtojë 120 milionë dollarë. Me këtë pajisje të cilat përfaqësojnë 80 përqind të kostove të një fabrike, TSMC përllogarit se fabrika e gjeneratës së re prej 3-nanometër do të kushtojë 20 miliardë dollarë për tu ndërtuar.

Për të operuar një fabrikë të tillë të teknologjisë së fundit, kompanitë kanë nevojë për njohuri të gjëra të proceseve prodhuese, bashkëpunime të ngushta në kërkim dhe hulumtim me furnizuesit, xhepa të thellë për investime të vazhdueshme në pajisje të reja dhe mbështetje të konsiderueshme shtetërore. Të gjithë këta faktorë mbështetës janë arsyeja pse numri i kompanive që operojnë fabrika të teknologjisë së fundit të prodhimit të çipeve ra në dy dekada nga 20 në vetëm 2.

Gjatë kësaj periudhe fitoi terren edhe një model i ri biznesi, i kompanive që dizajnojnë çipet por të mbështeten në palë të treta për prodhimin e tyre. Alibaba, Apple, Hisilicon, AMD, Nvidia, Tesla e shumë të tjerë dizajnojnë vetë çipet por prodhimin e tyre e kontraktojnë tek TSMC. Mbi të gjitha kompanitë duhet të vendosin se mbi çfarë arkitekturë duhet të bazohet dizajni i çipeve duke krijuar një efekt mbylljeje. Ndërrimi i fabrikës së prodhimit, për shembull nga TSMC tek Samsung, kërkon ridizajnimin e plotë të çipit e përkthyer në qindra miliona dollarë humbje.

Pse TSMC është kaq i rëndësishëm?

TSMC është prodhuesi i kontraktuar më i madh në botë i çipeve, me një pjesë tregu prej më shumë se 55 përqind. Shpeshherë është i vetmi opsion i arsyeshëm për kompanitë e dizajnit të çipeve që duan të prodhojnë çipe logjike të teknologjisë së fundi si procesorë përdorur në qendra të dhënash, laptopë, smartfonë, automobila, dhe aplikime ushtarake. Dominimi i TSMC në prodhimin e gjysmëpërçuesve logjikë të avancuar me shumë gjasa nuk ka për tu cenuar edhe për një dekadë apo më shumë, dhe kjo për disa arsye.

Së pari, Samsung – konkurrenti i vetëm që i afrohet TSMC në proceset e prodhimit poshtë 10-nanometër, nuk është një fabrikë e mirëfilltë e prodhimit të çipeve sepse dizajnon dhe prodhon gjithashtu çipet e veta logjike. Si rezultat konkurrentët e Samsung do të tregohen të kujdesshëm kur kontraktojnë biznesin e prodhimit të çipeve të Samsung nisur nga bashkëpunimi i ngushtë që nevojitet për proceset prodhuese. Për më tepër biznesi i Samsung është kryesisht i përqendruar tek kontratat me volum të lartë dhe jo afrimi e lojtarëve të rinj në rritje të cilët duan të sjellin dizajne të reja çipesh në treg.

Së dyti, numri dy dhe tre në biznesin kontraktues të prodhimit të çipeve – GlobalFoundries dhe UMC, ku ky i fundit një tjetër kompani Tajvaneze – u tërhoqën nga “Gara Moore” në 2018-ën me procesin prodhues 14-nanometër për tu përqendruar në procese alternative. Dominimi në treg i TSMC mund të rrezikohet prej saj, por do të duhen shumë vite.

Së treti, SMIC – fabrika më e madhe e prodhimit në Kinë dhe kompania e pestë më e madhe në botë për nga të ardhurat në këtë industri, nuk po arrin të ruajë ritmin e TSMC. SMIC sjell procese të reja prodhimi pothuajse 4 vite pasi lideri i tregut TSMC e ka aplikuar. Nisur nga kjo kompanitë e dizajnimit të çipeve mbështeten tek SMIC vetëm për çipe të thjeshta dhe jo të fuqishme. Kontrollet e rrepta të eksporteve aplikuar vitet e fundit nga SHBA ndaj SMIC e kanë bërë të paqartë sesi kompania do të arrijë të prodhojë çipe 10-nanometër.

Menaxhimi i Varësive

Në këtë kontekst, rëndësia e TSMC dhe Tajvanit si një qendër botërore e prodhimit të çipeve bëhet më e qartë. Edhe sikur TSMC të ndërtojë fabrika jashtë Tajvanit, siç është fabrika e planifikuar 5-nanometër në Arizona të Shteteve të Bashkuara që do të bëhet operacionale deri në 2024, deri në përfundim të saj kompania do të jetë duke prodhuar çipe 3-nanometër në Tajvan. Ekosistemi i biznesit brenda Tajvanit që ka mundësuar ngritjen e TSMC është e vështirë të riprodhohet me shpejtësi jashtë vendit edhe sikur të bashkëpunojë me qeveri të vendeve mike si SHBA.

Jo çdo kompani e dizajnimit të çipeve kërkon prodhimin e tyre me teknologjinë më të fundit. Por për ata që nevoja e tyre për çipe më të vogla është në rritje, TSMC është i vetmi opsion i mundshëm. Shembujt janë të shumtë si kompania e prodhimit të makinave elektrike Tesla, kompania e shërbimeve cloud dhe qendrave të të dhënave Amazon, kompani që kanë nevojë për çipe të inteligjencës artificiale si Intel dhe Alibaba, kompani që prodhojnë çipe për smatfonët si Qualcomm dhe Unisoc si dhe kompani të prodhojnë çipe për avionët luftarakë F-35 si Xilinx. Me dixhitalizimin në rritje të ekonomisë botërore, një numër në rritje industrish po krijojnë varësi ndaj TSMC.

Këto aftësi mund të shërbejnë si nxitje e fortë për Kinën që të marrë ishullin e Tajvanit me forcë mbështetur nga ambiciet e Pekinit për pavarësi teknologjike dhe mungesa e influencës në zinxhirët e prodhimit të gjysmëpërçuesve. Nga ana tjetër mund të shërbejë si nxitje për palë të treta të cilat dita ditës po ngrijnë zërin për pavarësinë e Tajvanit. Rëndësia e pakontestuar e TSMC duhet të vihet në peshore së bashku me një numër tjetër faktorësh.

Përktheu: Eltion Kuptrija

Burimi: The Diplomat

Të Fundit


Kriza në Arsim: skicë për reformën në arsimin e lartë

Kriza në Arsim: skicë për reformën në arsimin e lartë

Arsimi i lartë është në trysninë e transformimeve të mëdha. Studimet tregojnë se shumica e…

Fushata e dështuar e bombardimeve të Izraelit në Gaza 

Fushata e dështuar e bombardimeve të Izraelit në Gaza 

Robert A. Pape Që nga 7 tetori, Izraeli me rreth 40,000 trupa ushtarake ka pushtuar…

Politicidi: Lufta e Ariel Sharonit Kundër Palestinezëve* 

Politicidi: Lufta e Ariel Sharonit Kundër Palestinezëve* 

Me politicid nënkuptoj një proces që ka si qëllim final shpërberjen e existencës së popullit…

Mitet serbe për Kosovën dhe përkundja e tyre në rrëfimin publik shqiptar

Mitet serbe për Kosovën dhe përkundja e tyre në rrëfimin publik shqiptar

Kisha serbe ka qenë një strehë e ngrohtë e gatitjes së paranojës revanshiste serbe ndaj…

Keqkuptimi i europianëve me Serbinë!

Keqkuptimi i europianëve me Serbinë!

Serbia e do Europën, por një Europë që i ngjan Serbisë jo një Serbi që…

Çfarë duhet të bëjë më pas Izraeli?  

Çfarë duhet të bëjë më pas Izraeli?  

Ian Bremmer  Drejtor i GZERO Media Group  Marrë nga GZero Inkursioni tokësor i Izraelit në Gaza duket se ka…