Oruelli apo Hakslej: në distopinë e cilit prej tyre po jetojmë?

Të dy mendonin se qeveritë e së ardhmes do të bënin shumë përpjekje për të nxitur konsumin ekonomik — jo se ndonjëri prej tyre mendonte diç aq fantastike sa lehtësimi sasior.

Shkruar nga

Bota moderne, sipas shumë prej nesh, duket si një distopi — një version i ‘orarit më të errët’, për të huazuar një term nga komuniteti i sitkom-it amerikan. Po cilën distopi? Cili nga shkrimtarët e përfytyroi më mirë momentin e trazirës dhe keqfunksionimit? Kontributet më të mëdha në traditën e letërsisë artistike të distopisë janë dy kryeveprat përkufizuese të shekullit të njëzetë, të dyja syresh bestseller në kohën e tyre dhe sot: Më e Mira e Botëve e Aldos Hakslej e vitit 1932 dhe 1984 e Xhorxh Oruell e vitit 1949.

Të dy distopitë kanë shumë hollësi të përbashkëta. Të dy shkrimtarët shihnin një të ardhme të formësuar nga armët e shkatërrimit në masë — armë biologjike dhe kimike në rastin e Hakslejt dhe luftë nukleare për Oruellin. Ata binin në ujdi për rrezikun e shtresëzimit të përhershëm social, ku njerëzimi ndahej në kategori të përcaktuara nga inxhinierimi biologjik dhe kushtëzimi psikologjik (Hakslej) ose klasa tradicionale e gërshetuar me sistemet e besnikërisë totalitare (Oruelli). Të dy këta burra i përfytyronin shoqëritë e të ardhmes tërësisht të dhëna pas seksit, ndonëse në mënyra diametralisht të kundërta: shtypja me dhunë nga shteti dhe celibati në rastin e Oruell; shthurja e qëllimshme, narkotizuese në rastin e Hakslejt.

Të dy ata mendonin se e ardhmja do të dominohej nga Amerika. Të dy mendonin se qeveritë e së ardhmes do të bënin shumë përpjekje për të nxitur konsumin ekonomik — jo se ndonjëri prej tyre mendonte diç aq fantastike sa lehtësimi sasior. Të dy i nisin librat e tyre me një fjali të shkurtër që synon të paralajmërojë një botë që ishte familjare por edhe shqetësueshëm futuriste: “Një ndërtesë bojë gri me vetëm 24 kate”, fillon Më e Mira e Botëve. Është e pritshme që ne të gulçojmë në mahnitje. 1984 fillon: “Ishte një ditë e ftohtë prilli dhe ora shënonte trembëdhjetë.” Trembëdhjetë! Lemeri!

Të dy shkrimtarët po shkruanin paralajmërime: “mesazhi i librit”, thoshte Hakslej, ishte “Kjo është e mundshme: për hir të Zotit jini sy e veshë ndaj saj.” Në pamësinë e tij, njerëzimi po ballafaqohej me një botë të ardhme të qetësuar nga kënaqësitë dhe drogat dhe nga shushatja vullnetare e ‘foshnjarakërisë së qytetëruar”. Për Oruellin, njerëzimi po përballej me një gjendje të përhershme lufte dhe kontrolli totalitar të mendjes, të shkrirë në imazhin e “një çizmeje ngjeshur në fytyrën e njeriut, përgjithmonë”. Me gjithë mbivendosjen, sakaq, zakonisht ata shihen si versione kundërthënëse, kontradiktore të të ardhmes.

Dallimi ndërmjet dy distopive i ka rrënjët në një prej veçrive qendrore të letërsisë imagjinative. Shumë autorë të fantashkencës spekulative parapëlqejnë të theksojnë se vepra e tyre është një vision i të tashmes së ekzagjëruar dhe të intensifikuar. “E ardhmaj është këtu,” ka thënë Uiliam Gibson, “vetëm se ajo është shpërndarë në mënyrë të çrregullt.” Margret Atud e bëri normë këtë kur shkroi në Legjenda e Shërbëtores që ajo “nuk do të vendoste në libër një ngjarje që nuk kishte ndodhur tashmë … as ndonjë teknologji që nuk ekzistonte tani. Asnjë mbrokull imagjinare, asnjë ligj imagjinar, asnjë mizori imagjinare.” Urelli krijoi disa risi teknologjike për botën e tij të ardhme, por në thelb 1984-a e tij është një shikim i thellë në zemrën e shoqërive totalitare ekzistuese në kohën e tij. Disa nga hollësitë mund të vijnë nga bota e kufizuar e viteve dyzet — romani përshkohet nga aroma e lakrave të ziera — por ngjarjet kthehen pas në thellësitë e zemrës së njeriut dhe në projektin totalitar për ta riformësuar atë.

Askush nuk do të ishte në një pozitë më të mirë se Oruell për të parë në këtë të tashme dhe projektuar atë në të ardhmen. Përfshirja e tij gjatë gjithë jetës me idetë e majta ishte sa teorike — nuanca nga pikëpamjet e Partisë së Pavarur Laburiste, te lëvizja sindikaliste, anarkizmi, trockizmi dhe stalinizmi — aq edhe të jetuara konkretisht. Është shenjë dalluese për të që kur shkoi në luftën civile në Spanjë për të shkruar rreth saj, ai e gjeti veten të paaftë për të qëndruar pas dhe për të raportuar. Sapo pa realitetin e asaj që po ndodhte ai iu bashkëngjit menjëherë milicisë trockiste për të luftuar fashistët. Mizoria e paparë me të cilën fraksionet e mbështetura nga sovjetikët shtypnin grupet e tjera në krahun republican, ullneti i tyre për të gënjyer dhe vrarë aleatët e tyre, i dha Oruellit shtysën dhe mprehtësinë për të shkruar romanin e tij të madh për totalitarizmin.

Për këtë arsye, në këtë moment historik, gara Oruell vs Hakslej mund të shihet si e mbyllur në favor të Oruellit. Por, asgjë nuk mund të konkurrojë nxitjen e shitjeve që shkaktoi Donald Tramp. Ky president mishëron parashikimin që me një vullnet për të gënjyer pa e vrarë ndërgjegja, normat e vërtetësisë mund të braktisen me një shpejtësi të jashtëzakonshme. Një ndër kërkesat kryesore të Partisë, në librin e Oruellit, është ‘të refuzosh evidencat që sheh me sy dhe dëgjon me veshë’. Bota nuk është ndarë në tre supershtete mbizotëruese totalitare, si në roman, por në epokën e ngjitjes në pushtet të burrafortëve, diktatorëve, antisemitëve dhe gënjeshtarëve të sponsorizuar nga shteti, shumë profeci të Oruellit janë realizuar. Merrni shembullin e Koresë së Veriut, një diktaturë komuniste e trashëguar shume prej tipareve të të cilës — një shoqëri e bazuar në hierarkitë e besnikërisë ndaj udhëheqjes — mund të zbardhej direkt nga 1984-a.

Një minutë! Oruell kishte të drejtë për shumë gjëra, por edhe Hakslej kishte të drejtë. Sfondi i Hakslejt ishte i ngjashëm me atë të Oruellit — jo vetëm që të dy syresh shkuan në Eton, Hakslej u kthye atje si i ri (madje i mësoi frëngjisht Oruellit). Megjithë këtë, ambjenti i Hakslejt ishte shumë i ndryshëm, shkencor dhe filozofik, por jo politikisht i angazhuar. Hakslejt ishin aristokraci shkencore dhe liberale: xhaxhai i madh i Aldos ishte poeti Metthju Arnold. Gjyshi i tij Tomas ishte ‘qeni i Darvinit’, mbrojtësi i parë publik i profilit të lartë i ideve të Darvinit. Vëllai i tij Xhuliani qe një biolog i shquar dhe figurë publike, drejtori i parë i UNESCO-s, bashkëthemelues i Uorlld Uilldllajf Fand. Xhuliani ishte edhe një eugjenist i spikatur, i përkushtuar ndaj idesë se shkenca mund të përdorej për të çrrënjosur fondin gjenenik inverior për të mirën e përgjithshme.

Pëlhura emocionale e Më e Mira e Botëve është shumë e ndryshme nga ajo e 1984: aty gjen një lodrim, një mendjelehtësi, krejt e ndryshme nga peizazhi i zymtë, i shtypur, i përhimtë i romanit të Oruellit. Çështja e eugjenizmit na jep një çelës për të zbuluar arsyet e kësaj. Hakslej kishte interes ndaj eugjenizmit, që shkaktonte një mahnitje për shumë intelektualë të të majtës dhe të të djathtës. Ai nisi ta shihte atë si një fushë ogurzezë — me të drëjtë, pasi mendimi se të varfrit kanë veçori gjenetik eqë mund dhe duhen skualifikuarështë në fakt një prej ideve më të errëta dhe më të rrezikshme të shekullit të njëzetë. Por ai kishte ndjerë më parë joshjen e idesë që moderniteti mund të na përmirësojë, që shkenca mund të kurojë disa nga dhimbjet dhe vështirësitë e të qenurit njeri. Fakti që Hakslej ishte tunduar nga këto mendime e ndihmoi atë të përshkruante idetë e tij me një prekje më të lehtë, me eksploruese se Oruell.

Distopia e Hakslej ishte lloji i kundërt i letërsisë artistike të Oruellit: jo një strukje e thellë në të tashmen, por një projektim i kahjeve të tashme në të shkuarën. Ai u rrek me gjenialitet të mendonte si mund të ishte e ardhmja, nëse gjërat do ta vazhdonin në drejtimin që kishin marrë. Ai ishte në pozitën e duhur për të parë prirjet në shumë nga shkencat dhe bëri hamendësime të mira rreth asaj që ato do të bëheshin. Si rrjedhojë, ne mund të ngremë një pretendim që është ai, dhe jo Oruelli, që bëri një punë më të mirë në parashikimin e jetës moderne në botën e zhvilluar. Ndryshimi revolucionar në qëndrimet ndaj seksit, për shembull, nuk është një gjë e parashikuar nga shumë njerëz në vitin 1932, Hakslej e parashikoi: ndarja e seksit nga riprodhimi është e plotë në Më të Mirën e Botëve, siç është pothuajse e plotë në jetën moderne. Ai parandjeu me vërtetësi zhvillimin e teknologjive të reja të kontraceptimit dhe parashikoi saktësisht edhe pasojat e tyre.

Tek Më e Mira e Botëve shthruja nuk është vetëm normale, por inkurajohet në mënyrë kative: hapje e plotë në të gjitha aspektet e seksualitetit. Seksi është një shushatje dhe burim argëtimi, pothuajse një drogë. Hakslej do të hidhte vështrimin në botën tonë të aplikacioneve të lidhjeve dhe argëtimin masiv të seksualizuar — dhe me gjasë veçanërisht spektakle të tilla si Ishulli i Dashurisë dhe Tërheqje Lakuriq — dhe do t’u jepte parashikimeve të tij një 10 të fortë. (Tërheqje Lakuriq është një spektakël lidhjesh në Kanalin Katër nët ë cilin njerëzit zgjedhin partnerët mbi bazën e preferencës ndaj gjenitaleve të tyre. Edhe audienca i sheh gjenitalet. Kur ua përshkruan këtë spektakël njerezve, ata shpesh mendojnë se nuk ju kanë kuptuar mirë dhe nuk mund të thuash se njerëzit qëndrojnë në këmbë me fytyrë të mbuluar dhe gjenitale të ekspozuara dhe zgjidhen nga një partner i ardhshëm mbi atë kriter — por kjo është saktësisht ajo që ndodh. Ia rekomandoj këtë proram kujtdo që nuk pajtohet se normat e seksualitetit kanë ndryshuar.) Oruelli shihte një të ardhme në të cilën shteti shkurajonte seksin. Në këtë aspect, ai kishte krejt gabim dhe Hakslej kishte plotësisht të drejtë.

Hakslej ishte në tërësi më i saktë edhe për kënaqësinë. Oruell shkruante për një botë në të cilën sensualiteti ishte i sforcuar, i ndrydhur, gri — që ishte një ndër aspektet kryesore në të cilën ai kanalizonte frymën e viteve 1940. Hakslej hidhte vështrimin përtej dhe shihte një të ardhme në të cilën jeta ishte shumë dëfryese — përgjumësisht, pandjeshmërisht, gradualisht kënaqëse. Kënaqësitë e kollajta dhe dëfrimet e pasfiduara janë qëndrore për funksionimin e shoqërisë. Burimet e hutimit luajnë një rol jetik. Ndjenjat, burimi kryesor i dëfrimit masiv, i kushtohe të gjitha ikjes nga vetja. “Kur individi ndjen, shoqëria tulatet” është motoja dhe çdo përpjekje bëhet për të penguar njerëzit nga përjetimi i emocioneve të forta. Metoda e preferuar për këtë është soma, një drogë pa efekte anësore që garanton lumturinë në vetmi. Këtu, sërish, Hakslej mund të hedhë vështrimin mbi përdorimin modern të antidepresantëve, mjekimeve kundër ankthit dhe qetësuesve dhe të arrijë në përfundimin se ia ka qëlluar.

Një fushë e veçantë e parashikimit të Hakslej lidhet me rëndësinë e të dhënave. Ai shihte ardhjen e revolucionit informativ — vërtet në formën e skendave gjigande prej letre, por ai kishte kapur thelbin. Është argëtuese të shohësh se sa shumë tipare të Facebook, në veçanti, janë parashikuar nga Më e Mira e Botëve. Deklarata e misionit të Facebook “për t’u dhënë njerëzve fuqi për të ndërtuar komunitet dhe për t’i afruar njerëzit me njëri-tjetrin” tingëllon shumë e ngajshme me moton e botës së re “Bashkësi, Identitet, Stabilitet”. Bota në të cilën “nuk kemi asnjë dobi nga gjërat e vjetra” përputhet me pikëpamjen e Mark Zukerberg që ‘të rinjtë janë më të zgjuar’. Dhoma e takimit emri i të cilës është Vetëm Lajme të Mira — mund ta merrni me mend nëse i përket Kontrolluesit të Botës së Hakslejt, apo Sheril Sendbergut? Ndalimi i plotë i shikimit të gjidhënies është i përhapur në roman dhe në uebsajt. Natyra publike e statusit të marrëdhënies, ideja që çdo gjë duhet bashkëndarë dhe ideja se “gjithkush i përket gjithkujt tjetër” janë tema të zakonshme të romanit dhe kompania — e mbi të gjitha, ideja, e shqiptuar në mënyrë të përsosur nga Zukerberg dhe e ilustruar në mënyrë të përkryer nga tema qendrore e Hakslejt, që “privacia është një normë e vjetëruar”.

Kjo temë, ajo e një sulmi mbi privacinë, është qendrore edhe për pamësinë e Oruellit. Krim-mendimi është një prej krimeve më serioze tek 1984-a. Në këtë pikë ne mund të fillojmë të shohim romanin e tij dhe atë të Hakslejt jo si pamësi rivale të të ardhmes por si paralajmërime përplotësuese dhe të mbivendosura. Bota jonë e ka kudo seksin në ekran, dëfrimin për të të larguar mendimet kur të doni dhe drogërat për të injoruar të vërtetën, si dhe një theks mbi krimet e mendimit. Ne nuk kemi një “Dy Minuta Urrejtje” zyrtare, si ne shtetin e Oqeanisë së Oruellit, por media jonë sociale barabitet bukur shumë me të. Ideja e luftës permanente të nivelit të ulët si një normë e re duket shumë e ngjashme me luftën tonë 18-vjeçarë me terrorizmin — në fakt lufta globale kundër terrorit do të zinte vend shumë mirë në botën oruelliane të akronimeve dhe Njuzspik-ut. Ideja e një shoqërie të shtresëzuar në klasa të trashëguara apo të përcaktuara gjenetikisht përputhet mirë me botën moderne ku shoqëritë më të pabarabarta janë edhe shoqëritë ku njerëzit kanë më pak gjasa për të trashëguar mundësitë e jetës.

Një shoqëri dominante e sunduar nga një parti dhe udhëheqës i fortë, një shoqëri që përdor çdo metodë të mundshme të survejimit dhe mbledhjes së të dhënave për të monitoruar dhe kontrolluar qytetarët e saj, një shoqëri e cila po shënon edhe një rritje record në prosperitet dhe bollëk dhe që përdor teknika të reja të paprovuara më parë në shkencë dhe gjenetikë — ajo shoqëri mund të duket shumë e ngjashme me një gërshetim të pamësive të Oruellit dhe Hakslejt. Ajo mund të duket shumë e ngjashme me Kinën e ditëve moderne. “Pikavarazhi qytetar” i Kinës në zhvillim, një miksturë metrikash reputacionale, financiare dhe socio-politike, që përdoret për të përcaktuar qasjen në të gjitha gjërat që nga udhëtimi, tek edukimi dhe shërbimi shëndetësor, është një gërshetim perfekt i distopive, autorësinë e të cilës mund t’ia njohim vetëm një autori të ri, Haksuell.

Si Hakslej edhe Oruell i shkruan librat e tyre për të penguar distopitë e tyre të bëhen të vërteta. Suksesi i tyre në profeci është gjithashtu një dështim — sepse sa ç’kishin të drejtë , aq edhe projektet e tyre nuk arritën të bëjnë atë që pritej të bënin. Asnjëri prej tyre nuk e pa këtë si një arsye për të hequr dorë. Paralajmërimet e tyre janë ende të vlefshme. Ne ende kemi mundësi të ndryshojmë drejtimin. Fjala e fundit për Hakslejn, në parathënien e distopisë së tij, shkruar 20 vjet më vonë: “ndonëse mbetem jo më pak trishtueshëm i sigurtë se në të kaluarën se gjendja normale është një dukuri e rrallë, jam i bindur se ajo mund të arrihet dhe unë do të doja të shihja sa më shumë prej saj”.

Përkthimi nga anglishtja: Vehap Kola

Të Fundit


Kriza në Arsim: skicë për reformën në arsimin e lartë

Kriza në Arsim: skicë për reformën në arsimin e lartë

Arsimi i lartë është në trysninë e transformimeve të mëdha. Studimet tregojnë se shumica e…

Fushata e dështuar e bombardimeve të Izraelit në Gaza 

Fushata e dështuar e bombardimeve të Izraelit në Gaza 

Robert A. Pape Që nga 7 tetori, Izraeli me rreth 40,000 trupa ushtarake ka pushtuar…

Politicidi: Lufta e Ariel Sharonit Kundër Palestinezëve* 

Politicidi: Lufta e Ariel Sharonit Kundër Palestinezëve* 

Me politicid nënkuptoj një proces që ka si qëllim final shpërberjen e existencës së popullit…

Mitet serbe për Kosovën dhe përkundja e tyre në rrëfimin publik shqiptar

Mitet serbe për Kosovën dhe përkundja e tyre në rrëfimin publik shqiptar

Kisha serbe ka qenë një strehë e ngrohtë e gatitjes së paranojës revanshiste serbe ndaj…

Keqkuptimi i europianëve me Serbinë!

Keqkuptimi i europianëve me Serbinë!

Serbia e do Europën, por një Europë që i ngjan Serbisë jo një Serbi që…

Çfarë duhet të bëjë më pas Izraeli?  

Çfarë duhet të bëjë më pas Izraeli?  

Ian Bremmer  Drejtor i GZERO Media Group  Marrë nga GZero Inkursioni tokësor i Izraelit në Gaza duket se ka…