“Fantazmat e Luftës apo kambanat e paqes për Ballkanasit” ?

Në mesin e vitit 1991, Sllovenia Kroacia Maqedonia shpallën pavarësinë.

Kujtesë mbi pasojat e një lufte barbare të Serbisë së Millosheviçit (1991 – 1999) !

Siç është e njohur, në prag të 1990, BRSS u shpërbë pothuaj paqësisht dhe bashkë me të u shkërrmoq edhe Traktati Varshavës (shkurt 1991).

Federata e Jugosllavisë, për 40 vjet kishte përfituar nga qasja e Titos “as lindje as perëndim”. Vitet 90, e gjetën me një regjim më të moderuar në raport me pronën, të drejtat e njeriut, besimin fetar dhe gjendje ekonomike, krejtësisht tjetër p.sh me RPSSh të rraskapitur.

Përkundër pritshmërive optimiste, zgjedhjet e para pluraliste në 1990, i fituan ektremistët e Millosheviçit. Në mesin e vitit 1991, Sllovenia Kroacia Maqedonia shpallën pavarësinë. Ndërsa në vjeshtën e 1991 ushtria Serbe, rrafshoi Vukovarin dhe bombarduan si barbarë edhe qytetin antik të Dubrovnikut!

Konflikti etnik dhe fetar në Bosnje, ishte më i përgjakshmi. Pavarësia u njoh ndërkombëtarisht në prill 1992 por ushtria e Gjeneralit famëkeq Karaxhiç, nuk e njohu dhe e mbajti të rrethuar Sarajevën për 44 muaj. Në gjenocidin e Srebrenicës (11-22 Korrik 1995), u vranë barbarisht 8000 burra, gra dhe fëmijë myslimanë. Kjo masakër damkosi si kriminel lufte Millosheviçin dhe Karaxhiçin, por turpëroi edhe8i pafuqinë e OKB (kaskave Blu), BE, etj.

Marrëveshja e Dejtonit (14 dhjetor 1995), i dha fund luftës 4-vjeçare. Bosnje-Hercegovina u njoh si shtet i tre popujve dhe dy entiteteve, B&H dhe Republika Sërpska. Por strategjistët skeptikë të kohës, theksuan se: “kjo nuk ishte një paqe 100% e drejtë, por ishte sigurisht më e drejtë se vazhdimi i luftës”!

Kosova jonë, mbeti fushëbeteja e fundit e masakrës së Millosheviçit (1998 – 11 qershor 1999), me mbi 15,000 të vrarë, 5000 të zhdukur dhe 850,000 shqiptarë të dëbuar forcërisht nga trojet e tyre.

Në përmbledhje, 20 vjet luftë brutale para syve të Europës. Qytetarët e Bosnjës, Kosovës, Kroacisë, Sllovenisë, MV, Malin e Zi dhe Serbisë, e paguan shumë shtrenjtë paqen: “rreth 300 mijë mijë humbën jetën dhe më shumë se 5 milion, lanë shtëpitë, pronat dhe morën arratinë nga pasiguria për jetën”.

Pas luftës, pati më shumë se një “dekadë mjalti”, ku vendet (me histori të përgjakshme..) u futen në garë kush do të anëtarësohej më shpejt në NATO dhe BE. Falë mbështetjes së SHBA: “Kroacia, Sllovenia, janë antare të NATOs dhe BE. Shqipëria, Mal i Zi, MV antare të NATOs”, të cilat përfshi Serbinë “kanë vite që presin te dera jo vetëm standartet por edhe pikëpresjet burokratike të anëtaresimit në BE”! Ndërsa edhe Kosova dhe B&H vijojnë me
“përpjekje dëshpëruse drejt NATOs dhe BE”.

Megjithatë, besoj se pak i kishim ëndërruar këto arritje, por edhe këto pikëpyetje mbi rikthimin e konflikteve të përgjakshme në rajon mbas me pak se dy dekadash paqe!

Falni por mos harroni (Forget but not forgive) mbetet edhe si “mesazh-EPITAF” jo vetëm për Kosovën dhe B&H e martirizuar, Maqedoninë, Malin e Zi, Kroacinē, Slloveninë dhe Shqipërinë që e paguan shtrenjtë marrëzinë e Millosheviçit por edhe për USA, NATO-n, që kontribuan aq shumë për paqen e rajonit të mbërthyer nga urrejtja dhe luftrat e përgjakshme.

Vlerësime strategjike mbi rrezikun e një lufte të Re Ballkanike:

Kam ndjekur dhe ndarë me kolegë në Washington, Bruksel, Berlin, Romë, Bukuresht, Sofie, sigurisht në Tiranë, Prishtinë, Podgoricë, Sarajevë, Shkup, Beograd, vlerësime mbi rrezikun e një “Lufte të Re Ballkanike”, ku ngrihen dhe po i përsëris disa nga pikpyetjet strategjike:

Përse shpenzon më shumë se 1 miliard € në vit për mbrojtjen (ose e barabartë me rreth 7 vjet R.Sh & 10 R.Kosovës ?); Pra, përse armatoset deri në dhëmbë (kryesisht nga Rusia) me Tanke, Mig-29, Helikopter luftimi Mi-35, raketa Pantsir-S (&FK-3), etj ? Për edhe më thjeshtë, nga kush rrezikohet dhe kë kërcënon Serbia ?!

A është propocionale që ndaj një detashmenti policor për reciprocitetin e targave, Beogradi të mësyjë me trupa ushtarake në kufi të Kosovës? Beogradi akuzon qeverinë e Prishtinës se po kërcënon “ekzistencën e pakicës” Serbe.

Të ngjashme me pretendimet që përdori Rusia në 2014 si dhe në vijim ndaj sovranitetit të Ukrahinës!

A është diplomatikisht korrekte që Ambasadori Rus të inspektojë ushtrinë serbe në kufitë e një shteti sovran/Kosovës !? A po përpiqet Moska ta manipulojë dhe nxis Beogradin për qëllimet e saj gjeopolitike (?) ndërkohê që Serbia i mbetet “në borxh” për bllokimin e Kosovës në OKB dhe varësia ekonomike, energjitike, linjat e gazit, etj ?

A shërben kjo si një mesazh force i Rusisë për NATO-n dhe SHBA se: “do ta mbrojë aleatin e saj kyç në rast të një lufte rajonale”, si dhe testuar vendosmërinë e tyre për të “mos dorëzuar komunat veriore të Kosovës nën kontrollin e Beogradit” (?), ndërkohē që Kosova nuk është pjesë e mbrojtjes kolektive (artikullit 5) ?.
Strategjisti i mirënjohur i Ballkanit, Janusz Bugajski, e sheh Serbinë si peng i Rusisë në Ballkan dhe shton se: “për të rritur peshën gjeopolitike në Europën Juglindore, Moska mund të përdorë serbët për të nisur një luftë të re me fqinjët”. Më tej shton: “Bixhozi me Kosovën mund të jetë pjesë e një ofensive më të gjerë për të ”mbrojtur serbët” në B&H, Mal të Zi, MV, Kroaci, etj, që sipas ministrit Vulin: “kanë të drejtë për tu ribashkuar në një shtet të vetëm”!?

Mbas kërcënimeve të Milorad Dodik, për largimin e republikës Serpska, nga Institucionet Kombëtare (FA/ushtria, taksat, agjensia për ilaçe), përfaqësuesi i OKB në Bosne, Christian Shmidt, jep alarmin se: “Serbët e Bosnjës po kërcënojnë për të formuar ushtrinë e tyre, çka do të çonte në një konlikt të Ri të armatosur” si dhe: “për të shmangur një gjakderdhje tjetër si ajo 92-95, ndërkombëtarët, duhet të shtojë forcat paqeruajtëse”!

Po ashtu, Ambasadori Kroat në Tiranë Zlatko Kramaric, nuk kursen kritikat edhe për ndërkombëtarët (BE), që sipas tij e mbështesin ose reagojnë me vonesë, mandej: “nuk kanë mundur të shpëtojë nga sindroma e lëshimeve ndaj “diktatorëve të vegjël”, të cilët nëse nuk ndalen në kohë, mund të shkaktojnë një katastrofë në shkallë globale”.

Rikthimi i Luftës së përgjakshme dhe mendjeve të ndryshkura, mumd të kënaq ektremistët, krimin e organizuar, oligarkët e pushtetit dhe ushtrinë e të korruptuarve, por është një thikë mbas shpine ndaj masave të mirëbesimit reciprok dhe axhendës së integrimit Euroatlantik të vendeve të rajonit.

Këtij alarmi në terren, jo vetëm Beogradi por dhe Moska zyrtare, u kundërpërgjigjen me nervozizëm: «Fitili i fuçisë ballkanike janë ultranacionalistët shqiptarë”!?

Nga ana tjetër, me BE-në e konsideruar nga strategjistët “pa timon” si dhe me SHBA-të e fokusuar në Kinë dhe marrëdhënie “të parashikueshme” me Rusinë, Kremlini mund ti “leverdisi gjeopolitikisht” edhe opsioni i përplasjes ushtarake në Rajon.

Por në këtë “prag lufte të re”, u realizua “vizita e shpresës” (do ta quaja) të Ndihmës Sekretarit të Shtetit, Gabriel Escobar (8-10 Nëntor), fillimisht në Bosnjë-Hercegovinë, ku shprehu: “vendosmërinë e SHBA-ve për mbrojtjen e marrëveshjes së Dejtonit dhe parandaluar kolapsin e institucioneve”. Mbas bisedimeve zyrtare, përfshi me Z. Dodik deklaroi se: “është e hapur mundësia për të tërhequr vendimet e marra si dhe përsëriti se USA mbeten të përkushtuara për të mos lejuar një luftë në Rajon”. Ndërsa mbas vizitës në Malin e Zi, Ai mori garanci nga autoritetet vendase për: “përmbushjen e detyrimeve në NATO dhe axhendën e integrimit në BE”!
A mundet të shmangen fantazmat e riciklimit të Luftës si dhe a/si mund të ndërtohet paqe e qëndrueshme edhe për ballkanasit ?

Shkimtari Misha Glenny në librin e tij THE BALLKANS (1804-2012) heton rrënjët e gjakderdhjes, pushtimeve dhe nacionalizmit për skajin juglindor të Evropës. Ndër të tjera, ai zbulon se: “vendet që ne i mendojmë si armiq të paepur, gjatë shekujve kanë krijuar aleanca të pamundura“, si dhe ekspozon marrëdhënien shpesh katastrofike midis Ballkanit dhe Evropës, duke ngritur edhe pyetje kritike!

E keqja kur harrohet përsëritet edhe më dhumshëm; thirrjen ulëritëse “Njerëz qëndroni Vigjilent”; Paqja, siguria dhe demokracia nuk janë dhurata të përjetshme”, mbeten mësime të përbotshme dhe për të gjitha kohët. Konsideruar këto mësime dhe jo vetëm, besoj fortë se JO fantazmat e riciklimit të LUFTËS por PAQJA, mbetet misioni i vetëm i bashkëqytetarëve ballkanas, por ato shërbejnë dhe si këmbana alarmi për të qëndruar zgjuar dhe punuar/luftuar çdo ditë kundër rikthimit te errësira e urrejtjes dhe gjakderdhjes shekullore!

Me statusin e një eksperti me eksperiencë në peshimin e rreziqeve dhe oportuniteteve të sigurisë rajonale dhe NATO-s, do të këshilloja aktorët shtetërorë që marrëveshjen e “Ballkanit të Hapur, Proçesi i Berlin, apo me çdo emërtim tjetër”, ta kushtëzojnë me një paketë Masash të Mirëbesimit Reciprok, nëpërmjet të cilave vendet angazhohen se:

  1. Nuk kanë qëllime zyrtare (Aims), nuk planifikojnë operacione sulmuese (Ways), dhe nuk zhvillojnë aftësi & kapacitete ushtarake (Means) që kërcënojnë vendet ndërkufitare; të respektojnë Marrveshjen e Dejtonit në raport me Bosnje Hercegovinën dhe jo vetëm.
  2. Do të zbatojnë standartin e NATO-s për shpenzimet e mbrojtjes (jo më shumë se 2%) si dhe ndërpresin programet e armatimit (Avion, Raketa, Helikopterë luftimi, Tanke, etj) që prishin balancat e fuqisë ushtarake (në ajër, tokë dhe det) midis 6 vendeve nënëshkruese.
  3. Nuk do të vendosin instalime dhe as zhvillojnë aktivitete ushtarake, në përkatësisht 20 km distancë ajrore dhe 5 tokësore, në kufijtë zyrtar të vendeve nënëshkruese.
  4. Shkëmbimi informacioneve mes angjensive kombëtare të inteligjencës në lidhje me trafiqet e armëve, ADM, krimin e organizuar, grupet radikale, terroriste, etj!
  5. Nuk do të lejojnë që teritoret e tyre (ajrore, tokësore & detare) të shërbejnë si rrugëkalime të armatimeve të vendeve potencialisht kundërshtare të NATO/BE (Rusia, Kina).
  6. Ngritjen e strukturave, kapaciteteve dhe një momerandum bashkëpunimi për reagime të përbashkëta në rastet e emergjencave civile, natyrore, epidemive mjekësore, etj.
  7. Marrëveshja do t’i nënshtrohet paraprakisht një diskutimi gjithëpërfshirës me përfaqësues me peshë, qytetarët dhe grupet e interesit, në mënyrë që miratimi i saj të realizohet me konsesus sa më të gjerë mes partive politike.
  8. Marrëveshja, përfshi edhe këtë paketë me parakushtet e mirëbesimit reciprok, mbetet e hapur për t’u diskutuar dhe miratuar nga parlamentet e 6 vendeve të ballkanit, (rreshtimi alfabetik në anglisht = Albania, Bosnja, Mal i Zi, MV, Kosova & Serbia), por mbështetur në parimin e vetëvendosjes, mundet të nënëshkruhet edhe mes vendeve që nuk kanë pretendime ose bien dakord me parakushtet e mësipërme.
  9. Marrëveshjet e fokusuara te interesat ekonomike (lëvizja e lirë e qytetarëve, mallrave, tregjeve, shërbimeve, dhe investimeve) parakushtëzohen (must) nga paketa e masave të mirëbesimit reciprok sipas pikave të sipërpërmendura.
  10. Ngritjen e një Bordi Ekspertësh, për të formuluar Draft-marrëveshjen dhe matricën e zbatimit me detyrimet që kanë Institucionet e vendeve nënëshkruese.
  11. Ngritjen e një Komiteti të Përbashkët (Regional Steering Committee) për të monitoruar dhe informuar në kohë reale Autoritetet e vendeve anëtare mbi përmbushjen e detyrimeve nga institucionet respektive sipas matricës finale që do e shoqërojë marrëveshjen.
  12. Vendet antare të Rajonit të EJ-L (Kroacia, Sllovenia, Mal i Zi, Shqipëria, MV, Bullgaria, Rumania), t’i paraqesin NATO-s, një vlerësim rreziku strategjik si dhe ti kërkojnë zyrtarisht përgatitjen e planit operacional (Contingency Plan) me skenarët e reagimit të përbashkët, nëse kërcënohet çdonjëri nga vendet ose statuskuoja gjeopolitike në rajon.
  13. Ciladoqoftë marrëveshja, përfshi edhe këtë paketë parakushtesh të mirëbesimit reciprok, para miratimit do të duhet (must) të konsultohet me USA dhe NATO-n, të cilat mbeten faktor kritik për paqen, stabilitetin, axhendën e integrimit Euratlantik të rajonit, si dhe kanë interesa dhe përgjegjësi gjeopolitike në Rajon dhe Mesdhe.

Në shtesë, me përulësinë e një eksperti, me eksperiencë dhe kontribute me shumë se modeste në çështjet e sigurisë kombëtare, rajonit, NATO-s etj, do t’i këshilloja publikisht dhe vllazërisht aktorët politik dhe faktorët institucional në Tiranë dhe Prishtinë, që për interesa jetike kombëtare, të: “shmangin shpërdorimin politik, fasadat populisto-elektorale, përsonalizimin dhe inatet irracionale mes tyre”. Për më tepër: “të përulen në gjunjë para historisë së përgjakshme si dhe përgjegjësive shtetërore duke përgatitur një Patformë Partneriteti Strategjik midis RSh dhe asaj të Kosovës. Me fjalë të tjera, jetësimin e projektit: “Dy Shtete një Komb” dhe atij “Smart/mënçur” mbi sovranitetin dhe mbrojtjen e interesave mbarëkombëtare, duke konfirmuar se kjo “qasje e vonuar” nuk kërcënon asnjë vend, përkundrazi do të kontribuojë si balancë racionale për paqen afatgjate të rajonit.

Së fundmi, e përsëris edhe më fortë, se ashtu si në të gjitha angazhimet për 30 e kusur vjet në fushën e reformave të sigurisë dhe anëtarësimit në NATO, ri-konfirmoj me përulje se: ”Partia ime mbeten interesat Kombëtare dhe Shqipëria demokratike si SHBA dhe gjithë Europa” !

Gjeneral ® Piro AHMETAJ,
Ekpërt për Sigurinë Kombëtare & NATOs,
Zv/Pesident i Këshillit të Atlantikut, si & Ish:
Këshilltar Ushtarak i Presidentit të RSh;
Zëvendës ShShPFA & Përfaqësues i RSh në NATO.

Similar Posts