Dhjetë Parime Konservatore

Konservatorizmi është mohimi i ideologjisë: ai është një gjendje mendore, një lloj karakteri, një mënyrë për të parë rendin shoqëror civil.

Duke qenë se nuk është fe dhe as ideologji, tërësia e mendimeve e quajtur konservatorizëm nuk ka asnjë Shkrim të Shenjtë dhe asnjë Das Kapital për të ofruar dogmat. Për aq sa është e mundur të përcaktohet se çfarë besojnë konservatorët, parimet e para të bindjes konservatore rrjedhin nga ato që autorët kryesorë dhe njerëzit publikë konservatorë kanë pretenduar gjatë dy shekujve të kaluar. Pas disa shënimeve hyrëse mbi këtë temë të përgjithshme, unë do të vazhdoj të rendis dhjetë parime të tilla konservatore.

Ndoshta do të ishte mirë, shumicën e kohës, të përdorej kjo fjalë “konservatore” si mbiemër kryesisht. Sepse nuk ekziston asnjë model konservator dhe konservatorizmi është mohimi i ideologjisë: ai është një gjendje mendore, një lloj karakteri, një mënyrë për të parë rendin shoqëror civil.

Ky qëndrim që ne e quajmë konservatorizëm mbështetet më shumë mbi një grup sentimetesh, se sa mbi një sistem dogmash ideologjike. Është pothuajse e vërtetë që një konservator mund të përkufizohet si një person që e mendon veten të tillë. Lëvizja ose tërësia e mendimeve konservatore mund të akomodojë një larmi të konsiderueshme pikëpamjesh për shumë tema, pa pasur një Akt Prove ose Tridhjetë e Nëntë Artikuj të kredos konservatore.

Në thelb, konservatori është thjesht ai që i gjen gjërat e përhershme më të këndshme sesa Kaosi dhe Nata e Vjetër. (Megjithatë, konservatorët e dinë, që me Burken, se “ndryshimi i shëndetshëm është mjeti i ruajtjes sonë”.) Vazhdimësia historike e përvojës së një populli, thotë konservatori, ofron një udhëzues për politikë shumë më të mirë se sa planet abstrakte të filozofëve të kafeneve. Por sigurisht që bindja konservatore ka më shumë sesa ky qëndrim i përgjithshëm.

Nuk është e mundur të hartohet një katalog i përpiktë i bindjeve të konservatorëve; megjithatë, unë ju ofroj, përmbledhtazi, dhjetë parime të përgjithshme; do të ishte korrekte të thuhet se shumica e konservatorëve do të pajtoheshin me shumicën e këtyre aksiomave. Në botimet e ndryshme të librit tim Conservative Mind kam renditur disa ligje të mendimit konservativ – lista që ndryshon disi nga botimi në botim; në antologjinë time The Portable Conservative Reader, unë ofroj varietete në lidhje me këtë temë. Tani po ju paraqes një përmbledhje të supozimeve konservatore që ndryshojnë disi nga ligjet e mia në ato dy libra.

Pra, shumëllojshmëria e mënyrave në të cilat pikëpamjet konservatore mund të gjejnë shprehje është vetë provë se konservatorizmi nuk është një ideologji fikse. Se cilat parime të veçanta theksojnë konservatorët gjatë çdo kohe të caktuar do të do të jetë subjekt ndryshimi në varësi të rrethanave dhe nevojave të asaj epoke. Dhjetë nenet e mëposhtëm të kredos pasqyrojnë ato që theksojnë konservatorët në Amerikë në ditët e sotme.

Së pari, konservatori beson se ekziston një rregull i qëndrueshëm moral. Ai rend është bërë për njeriun dhe njeriu është bërë për të: natyra njerëzore është një konstante dhe të vërtetat morale janë të përhershme.

Fjala rend nënkupton harmoninë. Ekzistojnë dy aspekte ose lloje të rendit: rendi i brendshëm i shpirtit dhe rendi i jashtëm i bashkësisë. Njëzet e pesë shekuj më parë, Platoni predikonte këtë doktrinë, por edhe të arsimuarit në ditët e sotme e kanë të vështirë ta kuptojnë. Problemi i rendit ka qenë shqetësimi kryesor i konservatorëve që kur konservatorët u bënë term i politikës.

Bota jonë e shekullit XX ka provuar pasojat e tmerrshme të rënies së besimit në një rend moral. Ashtu si mizoritë dhe katastrofat e Greqisë në shekullin e pestë para Krishtit, rrënimi i kombeve të mëdhenj në shekullin tonë na tregon gropën në të cilën bien shoqëritë i marrin gabimisht interesin e zgjuar personal, ose mekanizmat e urta të kontrollit shoqëror si alternativa të këndshme ndaj një rendi moral të vjetër.

Së dyti, konservatori i përmbahet zakonit, traditës dhe vazhdimësisë. Është zakoni i vjetër që u mundëson njerëzve të jetojnë së bashku në paqe; shkatërruesit e zakonit prishin më shumë sesa dinë ose dëshirojnë. Përmes traditës – një fjalë shumë e abuzuar në kohën tonë – ne përpiqemi të shmangim mosmarrëveshjet e përhershme rreth të drejtave dhe detyrave: ligji në bazë është një organ i traditave. Vazhdimësia është mënyra e lidhjes së brezave me njëri-tjetrin; ka rëndësi sa për shoqërinë, aq edhe për individin; pa të, jeta është e pakuptimtë. Në qoftë se revolucionarët e suksesshëm kanë zhdukur zakone të vjetra, kanë përqeshur traditat e vjetra dhe kanë thyer vazhdimësinë e institucioneve shoqërore – pse, tani ata zbulojnë domosdoshmërinë e krijimit të zakoneve, traditave dhe vazhdimësisë së re? Por ai proces është i dhimbshëm dhe i ngadaltë; dhe rendi i ri shoqëror që shfaqet përfundimisht mund të jetë shumë inferior ndaj rendit të vjetër që radikalët përmbysën në zellin e tyre për Parajsën Tokësore.

Konservatorët janë kampionë të zakonit, traditës dhe vazhdimësisë sepse preferojnë djallin e njohur ndaj djallit të panjohur. Ata besojnë se rendi, drejtësia dhe liria janë produktet artificiale të një përvoje të gjatë shoqërore, rezultat i shekujve sprovë, reflektim dhe sakrificë. Kështu, shoqëria në tërësi është një lloj bashkësie shpirtërore, e krahasueshme me kishën; madje mund të quhet një bashkësi shpirtrash. Shoqëria njerëzore nuk është makinë për t’u trajtuar mekanikisht. Vazhdimësia, gjaku i jetës, i një shoqërie nuk duhet të ndërpritet. Kujtesa e Burke-s për domosdoshmërinë për ndryshim të matur është në mendjen e konservatorit. Por ndryshimi i nevojshëm, argumentojnë konservatorët, duhet të jetë gradual dhe diskriminues, duke mos këputur asnjëherë të gjithë interesat e vjetër paralelisht.

Së treti, konservatorët besojnë në atë që mund të quhet parimi i parashkrimit. Konservatorët mendojnë se njerëzit modernë janë xhuxha mbi supet e gjigantëve, të aftë për të parë më larg se paraardhësit e tyre vetëm për shkak të shtatit të lartë të atyre që na kanë paraprirë me kohë. Prandaj, konservatorët shumë shpesh theksojnë rëndësinë e parashkrimit – domethënë të gjërave të vendosura nga përdorimi i lashtë, në mënyrë që mendja e njeriut të mos ecë në drejtim të kundërt. Ekzistojnë të drejta, sanksioni kryesor i të cilave është lashtësia e tyre – përfshirë, shpeshherë, të drejtat mbi pronën. Në mënyrë të ngjashme, morali ynë është normativ në një masë të madhe. Konservatorët argumentojnë se ne nuk kemi gjasa, si modernë, të bëjmë ndonjë zbulim të ri të guximshëm në moral, politikë ose shije. Është e rrezikshme të peshosh çdo çështje që kalon në bazë të gjykimit privat dhe racionalitetit privat. Individi është budalla, por specia është e mençur, deklaronte Burke. Në politikë bëjmë mirë t’i përmbahemi precedentit dhe porosisë dhe madje paragjykimit, sepse bashkësia e madhe misterioze e racës njerëzore ka fituar një mençuri normative shumë më të madhe se racionaliteti i vogël privat i çdo njeriu.

Së katërti, konservatorët drejtohen nga parimi i tyre i maturisë. Burke pajtohet me Platonin që te burri i shtetit, maturia është kryesore midis virtyteve. Çdo masë publike duhet të gjykohet nga pasojat e mundshme afatgjata, jo thjesht nga përparësia ose popullariteti i përkohshëm. Liberalët dhe radikalët, thotë konservatori, janë të pamatur, sepse ata synojnë qëllimet e tyre pa i kushtuar shumë vëmendje rrezikut të abuzimeve të reja më këqija sesa të ligat që ata shpresojnë të zhdukin. Siç ka thënë John Randolph i Roanoke-s, Providenca lëviz ngadalë, por djalli gjithmonë ngutet. Duke qenë se shoqëria njerëzore është komplekse, mjetet shëruese nuk mund të jenë të thjeshta nëse do të jenë efikase. Konservatori deklaron se ai vepron vetëm pas reflektimit të mjaftueshëm, pasi ka peshuar pasojat. Reformat e papritura dhe të ashpra janë po aq të rrezikshme sa operacioni i papritur dhe i thellë.

Së pesti, konservatorët i kushtojnë vëmendje parimit të larmishmërisë. Ata ndiejnë dashuri për kompleksitetin lulëzues të institucioneve shoqërore dhe mënyrave të jetës të vendosura prej kohësh, siç dallohen nga uniformiteti i ngushtë dhe barazia vdekjeprurëse e sistemeve radikale. Për ruajtjen e një diversiteti të shëndetshëm në çdo civilizim, duhet të mbijetojnë urdhrat dhe klasat, ndryshimet në gjendjen materiale dhe shumë lloje të pabarazisë. Format e vetme të vërteta të barazisë janë barazia në Gjykimin e Fundit dhe barazia para një gjykate të drejtë; të gjitha përpjekjet e tjera për të niveluar do të çojnë, në rastin më të mirë, në kaos shoqëror. Shoqëria kërkon udhëheqje të ndershme dhe të aftë; dhe nëse dallimet natyrore dhe institucionale shkatërrohen, disa tiranë ose një mori oligarkësh të ndyrë do të krijojnë forma të reja të pabarazisë.

Së gjashti, konservatorët moderohen nga parimi i tyre i papërsosmërisë. Konservatorët e dinë se natyra njerëzore vuan në mënyrë të pakthyeshme nga disa gabime të mëdha. Duke qenë se njeriu është i papërsosur, asnjë rregull shoqëror i përsosur nuk mund të krijohet kurrë. Për shkak të ankthit njerëzor, njerëzimi do të rebelohej ndaj çdo dominimi utopik dhe do të shpërthente edhe një herë në pakënaqësi të dhunshme – ose përndryshe do të shuhej nga mërzia. Të kërkosh utopi do të thotë të përfundosh në katastrofë, thotë konservatori: ne nuk jemi krijuar për gjëra të përsosura. E gjithë ajo që në mënyrë të arsyeshme mund të presim është një shoqëri e rregulluar, e drejtë dhe e lirë në të cilën do të vazhdojnë të fshihen disa të këqija, çrregullime dhe vuajtje. Duke i kushtuar vëmendjen e duhur reformës së matur, ne mund ta ruajmë dhe ta përmirësojmë këtë rend të tolerueshëm. Por nëse masat mbrojtëse të vjetra institucionale dhe morale të një kombi neglizhohen, atëherë çlirohet impulsi anarkik: “kremtja e pafajësisë merr fund”. Ideologët që premtojnë përsosjen e njeriut dhe shoqërisë kanë shndërruar një pjesë të madhe të botës së shekullit XX në një ferr tokësor.

Së shtati, konservatorët janë të bindur se liria dhe prona janë të lidhura ngushtë. Ndani pronën nga pronësia privat dhe Leviatani bëhet zot i të gjithëve. Pas themelimit të pronës private, janë ndërtuar civilizime të mëdha. Sa më i përhapur të jetë posedimi i pronës private, aq më i qëndrueshëm dhe produktiv është një komunitet. Barazia ekonomike, thonë konservatorët, nuk është progres ekonomik. Fitimi dhe shpenzimi nuk janë qëllimet kryesore të ekzistencës njerëzore; por një bazë e shëndoshë ekonomike për personin, familjen dhe komunitetin është për t’u dëshiruar.

Sir Henry Maine, në librin e tij Village Communities, mbron me forcë çështjen e pronës private, si të ndryshme nga prona publike: “Askush nuk është i lirë të sulmojë disa prona dhe të thotë në të njëjtën kohë se ai vlerëson civilizimin. Historia e të dyve nuk mund të ndahet”. Pasi institucioni i disa pronave – domethënë, prona private – ka qenë një instrument i fuqishëm për t’u mësuar burrave dhe grave përgjegjësinë, për të ofruar motive për integritetin, për të mbështetur kulturën e përgjithshme, për ngritjen e njerëzimit mbi nivelin e thjesht marramendjes, për të dhënë kohë të lirë mendimi dhe liri për të vepruar. Të jesh në gjendje të ruash frytet e punës së dikujt; të jesh në gjendje të shohësh punën e dikujt të përjetësuar; të jesh në gjendje të lësh trashëgim pasurinë e dikujt pasardhësve të tij; të jesh në gjendje të ngrihesh nga gjendja natyrore e bluarjes së varfërisë në sigurinë e arritjeve të qëndrueshme; të kesh diçka që është vërtet e jotja – këto janë përparësi të vështira për t’u mohuar. Konservatori pranon që posedimi i pronës përcakton disa detyra mbi poseduesin; ai i pranon ato detyrime morale dhe ligjore me gëzim.

E teta, konservatorët mbështesin komunitetin vullnetar, ashtu siç kundërshtojnë kolektivizmin e pavullnetshëm. Megjithëse amerikanët kanë qenë të lidhur fort me privatësinë dhe të drejtat private, ata gjithashtu kanë qenë një popull i spikatur për një frymë të suksesshme të komunitetit. Në një komunitet të mirëfilltë, vendimet që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve merren në mënyrë vullnetare dhe lokale. Disa nga këto funksione kryhen nga organe politike lokale, të tjera nga shoqata private: për sa kohë që ato mbahen lokale dhe shënohen me marrëveshjen e përgjithshme të të prekurve, ato përbëjnë një komunitet të shëndetshëm. Por kur këto funksione kalojnë si parazgjedhje ose uzurpim tek autoriteti i centralizuar, atëherë komuniteti është në rrezik serioz. Çdo gjë që është e dobishme dhe e kujdesshme në demokracinë moderne, bëhet e mundur përmes vullnetit bashkëpunues. Nëse, pra, në emër të një Demokracie abstrakte, funksionet e bashkësisë transferohen në drejtim të largët politik – pse qeveria e vërtetë me pëlqimin e të qeverisurve i lëshon vendin një procesi standardizimi armiqësor ndaj lirisë dhe dinjitetit njerëzor?

Sepse një vend nuk është më i fortë se sa bashkësitë e vogla të panumërta nga të cilat është i përbërë. Një administratë qendrore, ose një trupë menaxherësh të zgjedhur dhe nëpunësish civilë, sado qëllimmirë dhe të mirëtrajnuar, nuk mund t’i japin drejtësi, prosperitet dhe qetësi një mase burrash dhe grash të privuar nga përgjegjësitë e tyre të vjetra. Ai eksperiment është bërë më parë dhe ka rezultuar katastrofik. Është kryerja e detyrave tona në komunitet që na mëson maturinë, efikasitetin dhe bamirësinë.

Së nënti, konservatori e nuhat nevojën për kufizime të matura mbi pushtetin dhe pasionet njerëzore. Duke folur politikisht, pushteti është aftësia për të vepruar sipas dëshirës, pavarësisht nga vullnetet e qytetarëve të tjerë. Një shtet në të cilin një individ apo një grup i vogël janë në gjendje të dominojnë vullnetet e bashkatdhetarëve të tyre pa kontroll është një despotizëm, pavarësisht nëse quhet monarkik, aristokratik apo demokratik. Kur çdo person pretendon të jetë një fuqi për veten e tij, atëherë shoqëria bie në anarki. Anarkia nuk zgjat kurrë gjatë, duke qenë e patolerueshme për të gjithë dhe në kundërshtim me faktin e pashmangshëm se disa persona janë më të fortë dhe më të zgjuar se fqinjët e tyre. Pas anarkisë vjen tirania ose oligarkia, në të cilën pushteti monopolizohet nga një grup i ngushtë.

Konservatori përpiqet të kufizojë dhe ekuilibrojë pushtetin politik aq sa anarkia ose tirania të mos lindin dot. Në çdo epokë, megjithatë, burrat dhe gratë tundohen të përmbysin kufizimet e pushtetit, për hir të një avantazhi të përkohshëm fantastik. Është karakteristikë e radikalit që ai mendon për pushtetin si një forcë për mirë – për sa kohë që pushteti bie në duart e tij. Në emër të lirisë, revolucionarët francezë dhe rusë shfuqizuan kufizimet e vjetra mbi pushtetin; por pushteti nuk mund të shfuqizohet. Ai e gjen gjithnjë rrugën drejt duarve të dikujt. Ajo fuqi që revolucionarët e kishin menduar shtypëse në duart e regjimit të vjetër u bë shumë here më tiranike në duart e zotërve të rinj radikalë të shtetit.

Duke e njohur natyrën njerëzore si një përzierje e të mirës dhe së keqes, konservatori nuk e vë besimin e tij thjesht te dashamirësia. Kufizimet kushtetuese, kontrollet dhe ekuilibrat politikë, zbatimi adekuat i ligjeve, rrjeti i vjetër i ndërlikuar i kufizimeve mbi vullnetin dhe oreksin – këto konservatori i miraton si instrumente të lirisë dhe rendit. Një qeveri e drejtë mban një tension të shëndetshëm midis kërkesave për autoritet dhe kërkesave për liri.

Së dhjeti, konservatori mendjekthjellët e kupton se qëndrueshmëria dhe ndryshimi duhet të njihen dhe të pajtohen në një shoqëri të shëndetshme. Konservatori nuk është kundër përmirësimit shoqëror, megjithëse ai dyshon nëse ekziston ndonjë forcë e tillë si një Progres mistik, me një P të madhe, nqë vepron në botë. Kur një shoqëri po përparon në disa aspekte, zakonisht ajo është në rënie në aspekte të tjera. Konservatori e di se çdo shoqëri e shëndetshme ndikohet nga dy forca, të cilat Samuel Taylor Coleridge i quajti Përhershmëria dhe Përparimi i saj. Përhershmëria e një shoqërie formohet nga ato interesa dhe bindje të qëndrueshme që na japin stabilitet dhe vazhdimësi; pa atë Përhershmëri, burimet e detit të madh shterrojnë, shoqëria po rrëshqet në anarki. Përparimi në një shoqëri është ai shpirt dhe ai trup i talenteve që na nxisin për një reformë dhe përmirësim të matur; pa atë Përparim, një popull ngec.

Prandaj, konservatori inteligjent përpiqet të pajtojë kërkesat e Përhershmërisë me kërkesat e Përparimit. Ai mendon se liberalët dhe radikalët, të verbër ndaj kërkesave të drejta të Përhershmërisë, do të rrezikonin trashëgiminë e që na është lënë në një përpjekje për të na ngutur drejt një Parajse Tokësore të dyshimtë. Me pak fjalë, konservatori favorizon progresin e arsyeshëm dhe të butë; ai është kundër kultit të Përparimit, votuesit e të cilit besojnë se gjithçka e re domosdoshmërisht është më superiore se gjithçka e vjetër.

Ndryshimi është thelbësor për trupin shoqëror, arsyeton konservatori, ashtu siç është thelbësor për trupin e njeriut. Një trup që ka reshtur së ripërtëriri veten ka filluar të vdesë. Por nëse ai trup do të jetë i fuqishëm, ndryshimi duhet të ndodhë në një mënyrë të rregullt, duke u harmonizuar me formën dhe natyrën e këtij trupi; përndryshe ndryshimi prodhon një rritje monstruoze, një kancer, i cili gllabëron mikpritësin e tij. Konservatori kujdeset që asgjë në një shoqëri të mos jetë kurrë plotësisht e vjetër, dhe që asgjë të mos jetë kurrë plotësisht e re. Kjo është rruga e ruajtjes së një kombi, ashtu siç është rruga e ruajtjes së një organizmi të gjallë. Se sa ndryshim kërkon një shoqëri dhe çfarë lloj ndryshimi varet nga rrethanat e një epoke dhe të një kombi.

Këto, pra, janë dhjetë parime që janë shfaqur gjatë dy shekujve të mendimit modern konservator. Parime të tjera po aq të rëndësishëm mund të diskutoheshin këtu: kuptimi konservator i drejtësisëose pikëpamja konservatore e arsimit. Por tema të tilla, me kalimin e kohës, duhet t’ia lë hetimit tuaj privat.

Përktheu: Vehap Kola

Similar Posts