Deklarata e Sharonit (1960)

SE qëllimet e qeverisë janë të mbrojë këto liri përmes ruajtjes së rendit të brendshëm, garantimit të mbrojtjes kombëtare dhe administrimit të drejtësisë;

Deklarata e Sharonit u miratua më 11 Shtator 1960 nga një grup prej 100 konservatorësh të rinj që u mblodhën në shtëpinë e William F. Buckley në Sharon, Connecticut me qëllim krijimin e Yang Americans for Freedom ([YAF], Të Rinjtë Amerikanë për Liri). Në vitin 2015, New York Times e njohu deklaratën e Sharonit si një “dokument themelor” të Lëvizjes Konservatore dhe ajo konsiderohet gjerësisht nga historianët dhe udhëheqësit e mendimit si një nga deklaratat më të rëndësishme në historinë e konservatorizmit amerikan. Mesazhi i saj është i përjetshëm dhe është përqafuar nga udhëheqës të panumërt konservatorë që prej miratimit të saj, duke përfshirë Presidentin Ronald Reagan i cili shërbeu si Kryetar Nderi Kombëtar i YAF. Deklarata e Sharonit vazhdon të jetë një prej dokumenteve më frymëzues të lëvizjes konservatore amerikane.

Teksti i plotë:

Në këtë kohë të krizës morale dhe politike, është përgjegjësia e rinisë së Amerikës të afirmojë disa të vërteta.

NE, si konservarorë të rinj besojmë:

SE më e larta mes vlerave transcedentale është përdorimi nga individi i vullnetit të lirë të dhuruar nga Zoti, prej nga përfton të drejtën për të qenë i lirë nga kufizimet e forcës arbitrare;

SE liria është e pandashme dhe se liria politike nuk mund të ekzistojë për një kohë të gjatë pa lirinë ekonomike;

SE qëllimet e qeverisë janë të mbrojë këto liri përmes ruajtjes së rendit të brendshëm, garantimit të mbrojtjes kombëtare dhe administrimit të drejtësisë;

SE kur qeveria shkon përtej këtyre funksioneve të drejta, ajo akumulon pushtet që priret të dobësojë rendin dhe lirinë;

SE Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara është sistemi më i mirë i shpikur deri më sot për fuqizimin e qeverisë për të përmbushur rolin e duhur të saj, ndërsa e frenon atë nga përqëndrimi dhe abuzimi me pushtetin.

SE fryma e Kushtetutës – ndarja e pushteteve – përmblidhet në klauzolën që u rezervon përparësinë shteteve ose popullit, në sferat që nuk i janë deleguar posaçërisht Qeverisë Federale;

SE ekonomia e tregut, shpërndarja e burimeve nga funksionimi i lirë i ofertës dhe kërkesës, është sistemi i vetëm ekonomik që përputhet me kërkesat e lirisë personale dhe qeverisjes kushtetuese, dhe se ajo është, në të njëjtën kohë, furnizuesi më produktiv i nevojave shoqërore.

SE kur qeveria ndërhyn në funksionimin e ekonomisë së tregut, ajo ka tendencën të reduktojë fuqinë morale dhe fizike të kombit; se kur ajo merr prej dikujt për t’i dhënë një tjetri,  ajo dobëson incentivën e të parit, integritetin e të dytit dhe autonominë morale të të dyve;

SE ne do të jemi të lirë për aq sa sovraniteti kombëtar i Shteteve të Bashkuara të jetë i sigurt; se historia tregon që periudhat e lirisë janë të rralla dhe mund të ekzistojnë vetëm kur qytetarë të lirë mbrojnë në mënyrë të bashkërenduar të drejtat e tyre përballë të gjithë armiqve;

SE forcat e Komunizmit ndërkombëtar janë, në këtë moment, kërcënimi më madhor ndaj këtyre lirive;

SE Shtetet e Bashkuara duhet të theksojnë fitoren mbi, dhe jo bashkëjetesën me, këtë kërcënim; dhe

SE politika e jashtme e Amerikës duhet gjykuar nga ky kriter: a i shërben interesit të drejtë të Shteteve të Bashkuara?

Similar Posts