Luftë me ligjet e ekonomisë

Nuk ka ekonomist në botë që të këshillojë një qeveri, po as edhe një biznes apo individ që të kursejë në një periudhë inflacioniste.

Qeveria e Kosovës po krenohet se ka arritur të kursejë 1 miliard e kusur euro nga taksat që ka mbledhur. Domethënë, u ka hequr qytetarëve dhe bizneseve mbi 1 miliard euro që nuk i janë dashur. Ky vetëm sukses nuk mund të jetë. O është padije totale mbi punët e qeverisjes, o është dashakeqësi e smirë e madhe për mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.

Në xhepat e qytetarëve dhe arkat e bizneseve, këto para do të dy apo trefishoheshin. Ndërsa në thesin e qeverisë po humbin çdo ditë vlerë. Vetëm nga inflacioni 19.1%, humbja mbi ato 1 miliard e kusur euro është 250 milion euro. Edhe po t’ua kthejë mbrapsht qytetarëve dhe bizneseve ato para, kanë pra 250 milion vlerë më pak.

Ideja e kursimit të parave nga një qeveri është një marrëzi ekonomike e padëgjuar. Në fund të vitit, qeveritë mund të dalin edhe me sufiçit, por kjo gjithmonë do të shkojë për më shumë investime publike (në rastin e një qeverie të djathtë) ose më shumë politika sociale (për një qeveri të majtë) gjatë vitit të ardhshëm. Edhe sikur një agjent imobiliar ta drejtonte qeverinë e Kosovës sot, do ta kishte shpëtuar vendin nga kjo zgjedhje kaq e gabuar, nga padija apo nga dashakeqësia.

Dhe çfarë? Lideri i një partie të majtë, më konsekuentes në ideologji në të gjithë kontinentin europian, është sot në luftë me sindikatat. Nuk mjafton, po ai u ka ndalur rrogat të gjithë mësuesve që janë prej ditësh në grevë. Aq konsekuent është në majtizmin e tij kryeministri i Kosovës sa jo vetëm mësuesve, por u ka ndalur rrogat edhe komunave që nuk kanë raportuar listat e mësuesve që kanë hyrë në grevë. 1 miliard eurot e kursyera padrejtësisht nuk duket se ka ndërmend t’i prekë.

Nuk ka ekonomist në botë që të këshillojë një qeveri, po as edhe një biznes apo individ që të kursejë në një periudhë inflacioniste. Paratë e kursyera në këtë situatë janë para të shkuara dëm. Investojini në real estate, në aksione, në bitcoin, por kurrë mos i mbani nëpër banka, do t’ju thoshte një kontabilist i thjeshtë, nëse do ta pyesnit. Por siç duket Kurti i merr këshillat për ekonominë nga Zhixheku ose është peng i ideve fikse në mendjen e tij për të bërë gjëra që nuk janë fare në interesin imediat apo afatgjatë të Kosovës.

Robert Barro dhe Paul Krugman nuk do ta ndalin kurrë debatin mbi multiplikatorin fiskal, po nuk njoh ndonjë ekonomist të majtë të mbështesë idenë që qeveritë të kursejnë para. Shumica e studimeve provojnë se çdo 1 dollar që merr shteti në formë takse përkthehet në më pak se 1 dollar prodhim. Ndoshta tani duhet bërë një studim për të vlerësuar se sa produktivitet ka 1 dollar taksë që shteti e kursen në arkën e tij dembele.

Qytetarët e Kosovës sot përballen me shumë pengesa dhe vështirësi, që po detyrojnë mijëra të rinj të braktisin vendin. Një qeverisje e mirë do ta kishte ndalur këtë lum shpopullimi. Ndërsa keqqeverisja është dhurata më e mirë që mund t’i bëhet Serbisë.

Similar Posts